Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në një takim këtë të hënë drejtorin e Qendrës Memoriale të Gjenocidit të Srebrenicës, Emir Sulljagiq, në prag të 25 vjetorit të çlirimit dhe përfundimit të spastrimit etnik dhe gjenocidit të Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Lajmin e ka bërë të ditur, Zyra e Kryeministrisë nëpërmjet një njoftimi për media.
“Kurti i uroi mirëseardhjen në Kosovë Sulljagiqit në 25-vjetorin e çlirimit të vendit tonë dhe përfundimit të spastrimit etnik dhe gjenocidit të Serbisë në Kosovë”,- thuhet në një njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Në njoftim thuhet se Kurti ka kërkuar që Serbia të ballafaqohet me të shkuarën e saj dhe të mbajë përgjigjësi për krimet dhe gjenocidet që ka kryer gjatë luftës, si në Sebrenicë ashtu edhe në Kosovë, në favor të Paqes në Ballkan. Gjithashtu, ai shton se autoritetet serbe duhet të dërgojnë para drejtësisë përgjegjësit e këtyre krimeve dhe jo t’i mbështesë ata.
“Për paqe në Ballkan, Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën e saj dhe të mbahet përgjegjëse për krimet, masakrat dhe gjenocidet e kryera, dhe që të sillen para drejtësisë përgjegjësit e krimeve të kryera gjatë luftës”, sipas njoftimit.
Sulljagiq është i mbijetuar i këtij gjenocidi të kryer nga forcat serbe në korrikun e vitit 1995 në Srebrenicë.
Kujtojmë se më 24 maj të muajit të shkuar Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi “Rezolutën e Sebrenicës”, me 84 vota pro, 19 kundër dhe 68 abstenime.
Sipas kësaj rezolute, 11 korriku do të njihet si Dita Ndërkombëtare Përkujtimore e gjenocidit në Sebrenicë, ku forcat serbe vranë më shumë se 8000 myslimanë boshnjakë në Sebrenicë.
Rezoluta e hartuar nga Gjermania dhe Ruanda, që u miratua mes kundërshtimit të ashpër nga serbët, dënon mohimin e gjenocidit, një gjë që vazhdimisht bëhet nga zyrtarët serbë si në Bosnje ashtu edhe në Serbi.