
Me dhimbjen që i “çan” kraharorin, lotët që i lajnë faqet dhe fotografitë e bijve të tyre, prindërit e të rinjve që humbën jetën në diskotekën e “ferrit” në Koçan, kanë marshuar këtë të hënë në Shkup, duke kërkuar drejtësi për fëmijët e tyre.
Atyre iu bashkuan dhe qindra qytetarë të cilët një zëri kërkuan nga institucionet e Drejtësisë në Maqedoni, që të gjithë përgjegjësit për ngjarjen tragjike të 16 marsit të vendosen para drejtësisë.
Marshimi i tyre nisi nga Prokuroria në Shkup dhe më pas iu drejtuan sheshit të qytetit. Ashtu sikurse u raportua dhe më herët, qytetarët më pas do të ndalojnë para Kuvendit të Maqedonisë për t’i kërkuar pushtetarëve që të hedhin sytë nga dhimbja e tyre dhe të punojnë të gjithë së bashku për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.
Pjesë e kësaj proteste sipas raportimeve mësohet se janë dhe shumë shqiptarë të cilët ndajnë dhimbjen me qytetarët maqedonas për humbjet e fëmijëve të tyre.
“Engjëjt tanë meritojnë drejtësi”, dëgjohet të thotë një prej qytetarëve që ka marrë pjesë në këtë marshim, i cili raportohet i qetë.
Gjithashtu, ata kanë paralajmëruar që do të vijojnë me përshkallëzimin e protestave nëse nuk merren masa dhe do të vazhdojnë të ngrenë zërin deri në ndëshkimin e autorëve të ngjarjes tragjike ku humbën jetën 62 të rinj.
Ndërkohë një ditë më parë theksojmë se Prokuroria u bëri thirrje familjarëve të viktimave, që nëse dëshirojnë të dinë më tepër informacione lidhur me ecurinë e kësaj çështje atëhere i ftoi që t’i bashkangjiten një takimi me prokurorin publik dhe prokurorët përgjegjës të cilët po hetojnë zbardhjen e tragjedisë së 16 marsit.
“Nëse të afërmit e viktimave kanë një interes të tillë, ata mund të caktojnë përfaqësuesit e tyre (maksimumi një anëtar të familjes së secilës viktimë) të cilët do të takohen me Prokurorin Publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe prokurorët që po merren me lëndët”, thuhej në njoftimin e bërë nga Prokuroria më herët.
Familjarët e të rinjve që humbën jetën në diskoetën “Puls”, deri më tani kanë mbajtur katër marshime në Koçan, ndërkohë që ky i kësaj të marte ishte i pari që u mbajt në Shkup. Ata u bëjnë thirrje njëzëri të gjitha institucioneve që janë përgjegjëse për funksionin e sistemit në vend, që të mos i shmangen drejtësisë dhe t’i shkojnë zbardhjen së kësaj ngjarje deri në fund.
Kujtojmë se në ngjarjen e 16 marsit humbën jetën 62 persona, nga të cilët fillimisht 59, ndërsa tre të tjerë nuk arritën t’i mbijetojnë plagëve të marra si pasojë e zjarrit duke ndërruar jetë disa ditë më vonë.