Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Kosovë ku një efektiv policie ka plagosur kolegen e tij. Sipas mediave vendase mësohet se ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm në Prishtinë, ku efektivi ka plagosur aksidentalisht në këmbë kolegen e tij police.
Kjo e fundit është dërguar në spital ku dhe ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Ndërkohë, vlen të theksohet se fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikur për jetën.
Lidhur me rastin autoritetet po vijojnë hetimet e mëtejshme. Inspektoriati i Policisë së Kosovës ka njoftuar se arma e zjarrit është sekuestruar, ndërkohë efektivi i Policisë është pezulluar.
“Hetuesit e IPK-së janë njoftuar sot në orët e mëngjesit nga Policia e Kosovës për një incident shkrepje aksidentale të armës së zjarrit në objektin e Stacionit Policor Jugu në Prishtinë. Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se si pasojë e shkrepjes aksidentale një copë e gëzhojës së plumbi ka plagosur një zyrtare policore në këmbë dhe e njëjta është transportuar menjëherë për trajtim mjekësor”, thuhet në njoftim.