
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar për herën e tetë radhazi të zgjedhin kryetaren, duke çuar kështu rrjedhimisht dhe në konstituimin e një prej institucioneve më kyçe të shtetit. Albulena Haxhiu ka marrë sot 54 vota.
Vetëvendosje tregoi se në seancë e ka një deputet më pak, por kjo nuk ishte vota e vetme që mungoi për Albulena Haxhiun. Për dallim prej 6 rundeve tjera në të cilat mori 57 vota, sot për të kishte vetëm 54, të pamjaftueshme për postin e ri.
Nuk dihet nëse pas rezultatit të sotëm Vetëvendosje do të vazhdojë përsëri ritualin për të treguar se i zotëron ende 57 vota duke e propozuar përsëri Albulena Haxhiun pa një marrëveshje paraprake mes partive, të cilat në mënyrë kategorike janë shprehur se nuk e mbështesin këtë emër.
Në njërën anë, Vetëvendosja këmbëngul në të njëjtin propozim, ndërsa në anën tjetër, partitë e tjera, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, si dhe NISMA, shfaqen po aq të vendosura kundër Haxhiut.
Megjithatë, për dallim nga VV-ja e cila është treguar “kokëfortë”, duke mos parë asnjë alternativë tjetër veç propozimit të tyre, partitë e tjera, kanë shfaqur gatishmëri për të ia dhënë votën partisë së Albin Kurtit për postin e të parit të Kuvendit, por, vetëm nëse kjo e fundit ndryshon propozimin.
Këmbëngulja e VV-së në propozimin e Haxhiut për kryetare të Kuvendit, po arsyetohet me faktin është gruaja më e votuar në zgjedhjet e fundit. Kurse ata që po kundërshtojnë më ashpër si PDK e AAK, Haxhiun po e vlerësojnë si figurë “përçarëse”, duke theksuar se ajo ka pasur “shumë skandale”.
Ekspertët kanë paralajmëruar deputetët e Kuvendit të Kosovës që të ndërmarrin nismën për ta dërguar rastin në Gjykatën Kushtetuese, ndërkohë që vetë Vetëvendosje nuk dihet nëse do të tërhiqet nga emri i Albulena Haxhiut dhe të zhbllokojë ngërçin e krijuar prej javësh.