
Një tjetër ngjarje e rëndë tronditi ditën e sotme Kosovën, ku sërish një grua u flijua nga bashkëshorti i saj. Pas vrasjes së 21-vjeçares Erona Cokli, nga ish-bashkëshorti i saj 36-vjeçar, Valon Aliu, një tjetër gruaje në Pejë i është ndërprerë jeta në mes nga dora e partnerit.
Edmond Lajqi ekzekutoi mëngjesin e sotëm Gjyljeta Ukellin pas një debati që ata patën. Sipas mediave vendase mësohet se pasi ai kreu krimin telefonoi Policinë duke i lajmëruar se kishte vrarë bashkëshorten e tij.
“E vrava gruan”, raportohet të ketë thënë ai para organeve të rendit.

Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e sotëm rreth orës 08:15 në banesën e çiftit në rrugën Bill Clinton në Pejë. Edmond Lajqi vrau bashkëshorten e tij dhe më pas telefonoi policinë për t’ i treguar krimin makabër. Kujtojmë se edhe më herët Lajqi ishte dënuar nga Gjykata për dhunë në familje.
Lidhur me këtë ngjarje të rëndë reagoi edhe presidentja Vjosa Osmani. Nga Forumi për Gruan, Paqen dhe Sigurinë, presidentja tha se të gjithë duhet që të bëhen bashkë për të ndalur vrasjen e grave dhe vajzave në Kosovë.
Mësohet se viktima, Gjyljeta Ukelli prej dy dekadash ka punuar si asistente e stomatologut në Poliklinikën Stomatologjike në Pejë.
“Të tronditur thellë nga vrasja makabre e koleges tonë,punëntores shëndetësore te stomatologjisë të ndjerës Gjyljeta Ukella. E ndjera Gjyljetë per dy dekada shërbeu si asistente e stomatologut në Poliklinikën Stomatologjike në Pejë. Do të mbetet ne kujtimet e secilit koleg për punën dhe urtësinë që e ka karakterizuar përsonalitetin e Gjyljetes”, thuhet në reagimin e Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Pejë.