
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Prishtinë, ku dy persona janë goditur me armë zjarri.
Sipas mediave vendase, mësohet se si pasojë e plagëve të marra, njëri prej të plagosurve i quajtur Naser Gashi 62-vjeçar, ka humbur jetën në spital, ndërsa shtetasi tjetër, Miftar Miftari, rreth 40 vjeç, ka mbetur i plagosur rëndë në këmbë dhe është duke u trajtuar në spital.
Lajmin për vdekjen e tij e konfirmoi mjeku kujdestar i Emergjencës, Agron Çitaku, i cili shprehu se viktima ka humbur jetën pas 30 minutash në spital.
“Ka qenë pothuajse pa shenja jete dhe pas 30 minutash ka ndërruar jetë, ndërsa i plagosuri tjetër gjendjen e ka më mirë dhe pritet të marrë trajtime në ortopedi”, ka deklaruar ai.
Sakaq, personi i dyshuar për vrasjen është identifikuar dhe është shpallur në kërkim.
“Rreth orës 22:30, kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në rrugën “Rrustem Hyseni” në Prishtinë, ku dyshohet të jenë lënduar dy persona të cilët janë dërguar për tretman mjekësor. Aktualisht hetuesit policor janë duke ndërmarr të gjitha masat e nevojshme në lidhje me rastin dhe janë në kërkim të personit të dyshuar i cili tashmë është identifikuar”, thuhet në njfoftimin e autoriteteve.
Ende nuk dihen shkaqet e këtij sulmi, por policia është duke punuar për zbardhjen e plotë të rrethanave.