Një incident i rëndë ka ndodhur në televizionin kombëtar të Kroacisë, HRT, ku analisti ushtarak Mario Galiç ka bërë një deklaratë kontroverse në një emision të transmetuar drejtpërdrejt. Ai ka bërë thirrje të hapur për eliminimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, duke shkaktuar reagime të ashpra.
Galiç, i ftuar në panelin e emisionit "Poligraf" të Radio Televizionit Kroat, ishte në shoqërinë e disa figurave publike, përfshirë eurodeputetin Davor Ivo Štir nga partia HDZ, Gordan Bosanac nga partia “Ne mundemi” dhe Krešo Beljak nga HSS. Diskutimi filloi me komente për raportin e progresit të BE-së për Serbinë, por situata mori një kthesë kur Galiç aludoi për sulmin ndaj avionit presidencial serb, ndërsa disa nga të pranishmit qeshën gjatë bisedës.
“Armatimi me raketa lundrimi me rreze të gjatë veprimi nga SHBA nuk do të jetë i nevojshëm për Kroacinë; një mjet i tillë mund të godasë avionin presidencial mbi Beograd dhe të ‘zgjidhë problemin’,” u shpreh ai.
Krešo Beljak, deputeti i HSS-së, vazhdoi në mënyrë ironike: “Mu në qendër të botës serbe.”
Deri tani, HRT nuk ka kërkuar falje për deklaratën e Galiç, ndërsa në Serbi kjo deklaratë ka nxitur një valë kritikash dhe po diskutohet gjerësisht.