
Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis ka deklaruar se do të ngrejë shqetësimin për shkeljen e Marrëveshjes së Prespës nga dy liderët e rinj të Maqedonisë së Veriut gjatë samitit të Aleancës së Atlantikut Verior (NATO) që po mbahet në Uashington.
Duke marrë pjesë në samitin për 75-vjetorin e themelimit të NATO-s, Kyriakos tha se “kam shqetësime serioze” lidhur me përdorimin e emrit nga qeveria e re maqedonase e udhëhequr nga VMRO DPMNE.
“Kjo është një çështje që unë do ta ngre”,- tha Mitsotakis në Këshillin për Marrëdhënie me Jashtë, duke thënë se çështja e emrit thjesht, nuk është një çështje e negociueshme.
“Nuk është konstruktive. Nuk i ndihmon rrugës evropiane të Maqedonisë së Veriut. Është një ndërlikim i panevojshëm në një kohë kur ne do të duhej të gjenim zona për bashkëpunim”,- tha Mitsotakis.
Marrëdhëniet midis dy vendeve u tensionuan pas vendimit të Presidentes së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska që t’i referohet vendit si “Maqedoni” dhe jo sipas emrit kushtetues gjatë ceremonisë së betimit.
Të njëjtën linjë me Presidenten, duket se ndoqi edhe kryeministri i ri, Hristijan Mickoski, i cili gjatë takimeve diplomatike i referohej vendit si “Maqedoni”.
Greqia i akuzon dy liderët e rinj se po ndjekin një politikë destabilizuese midis dy vendeve, ndërkohë që e ka porositur atë që të ndryshojë qëndrim pasi nëse nuk kia zbatim të marrëveshjeve të nënshkruara, rruga e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit të BE-së do të jetë e mbyllur.
Greqia dhe fqinji i saj arritën marrëveshje për emrin e shtetit, dhe Shkupi u pajtua që të ndryshojë emrin e shtetit nga Maqedoni në Maqedoni e Veriut dhe Athina hoqi dorë nga vetoja për anëtarësimin e fqinjit të saj në NATO.