Kjo javë duket se kish rezervuar surpriza për Piro Dhimën, i cili ka marrë dy lajme të mira në pak ditë.
Ish-peshëngritësi është bërë baba për herë të pestë me partneren Afërdita Skafida, e cila solli në jetë një vajzë të shëndetshme.
“Është një moment shumë i bukur. I bekuar. Nuk e kisha imagjinuar kurrë se do të kisha pesë fëmijë. Si nëna ashtu edhe fëmija janë mirë. Nuk ishte një lindje shumë e lehtë. Nuk kam qenë i pranishëm në lindjen e asnjërit prej fëmijëve të mi. Nuk mund ta shoh njeriun tim me dhimbje”, tha ai pas lindjes së vajzës në një intervistë për media greke.
Përpos se familja e tij është shtuar, Piro Dhima tashmë do të ketë një angazhim më të madh në politikën greke. Ditën e djeshme partia greke, Demokracia e Re e drejtuar nga Kyriakos Mitsotakis ka shpallur listën me 42 kandidatët për eurodeputet.
Në këtë listë ishte edhe emri i Piro Dhimës, po ashtu e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri.
Zgjedhjet për Parlamentin Evropian zhvillohen çdo pesë vjet me votim universal për të rriturit me më shumë se 400 milionë njerëz me të drejtë vote, ato janë zgjedhjet e dyta më të mëdha demokratike në botë pas zgjedhjeve të Indisë.
Deri në vitin 2019, 751 eurodeputetë u zgjodhën në Parlamentin Evropian. Partitë politike evropiane kanë të drejtë të bëjnë fushatë në mbarë BE-në për zgjedhjet evropiane. Ditët e zgjedhjeve janë 4 ditë radhazi. Zgjedhjet e fundit u zhvilluan në 2019 dhe zgjedhjet e ardhshme do të zhvillohen këtë vit.