
Ish-ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier ka theksuar se asocacioni i komunave me shumicë serbe mbetet detyrim për Kosovën.
Në një deklaratë për Atlantic Council, Hovenier tha se zotimi për asociacionin u përsërit fuqishëm në Marrëveshjen Bazit në 2023. Sipas tij, ky zotim nuk është hequr dhe ende qëndron.
Madje, Hovenier u shpreh se emisari i ri të Bashkimit Europian, Peter Sorensen, duhet të angazhohet që Kosova dhe Serbia të përmbushin zotimet e bëra. Ai theksoi se asnjëra palë nuk i ka marrë seriozisht obligimet për zbatimin e tyre.
“Republika e Kosovës bëri një zotim për këtë në vitin 2013. Ai zotim nuk është hequr dhe ai zotim qëndron. Ka edhe zotime që ka marrë edhe Serbia, gjëra që duhet të bëjë, të cilat gjithashtu duhet të zbatohen. Ky zotim në lidhje me Asociacionin u përsërit fuqishëm në kontekstin e Marrëveshjes Bazike të 2023-ës dhe Aneksit të Zbatimit të saj. Dhe unë personalisht besoj dhe nëse do t’i jepja këshilla Peter Sorensen dhe Bashkimit Europian, mendoj se mënyra më e mirë për të ecur përpara është të mos negociosh zotime të reja tani, sepse ajo që u arrit në vitin 2023 është një paketë mjaft mbresëlënëse. Thjesht mungon plotësisht në zbatim. As Kosova dhe as Serbia nuk i kanë marrë seriozisht obligimet për zbatimin e zotimeve”, tha Hovenier.