Presidentja Vjosa Osmani, në Ditën e Kushtetutës, e konsideroi atë një normë supreme që përcakton identitetin dhe vlerat e shoqërisë demokratike.
“Sot, në ditën e miratimit të Kushtetutës, e cila është normë supreme që përcakton identitetin dhe vlerat e shoqërisë sonë demokratike, rikonfirmojmë përkushtimin tonë institucional për zbatimin dhe afirmimin e këtyre vlerave.
Kushtetuta jonë është udhërrëfyese, ndaj zbatimi pakompromis i saj na ndihmon dhe përshpejton procesin tonë integrues drejt familjes së madhe euroatlantike”, ka deklaruar Osmani.
Sot bëhen plot 16 vjet që nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Miratimi i saj ishte një moment historik dhe tepër i rëndësishëm që shënoi një etapë të re për vendin.
Kushtetuta e Kosovës u ratifikua më 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor të të njëjtit vit. Si akti më i lartë juridik në vend, Kushtetuta e Kosovës u garanton të drejtat dhe liritë themelore të gjithë qytetarëve të vendit.