Hapësire reklamuese

Rajoni

Dialogu Kosovë-Serbi, BE zbulon datën e takimit të Kurtit me Vuçiç në Bruksel

Shkruar nga Newsbomb
Dialogu Kosovë-Serbi, BE zbulon datën e takimit të Kurtit me
FotoMontazh/ Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, do të zhvillojnë një takim në Bruksel në kuadër të raundit të ri të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian për normalizimin e marrëdhënieve midis vendeve.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i cili ka zbuluar se dy udhëheqësit do të takohën në datën 26 qershor.

Ky takim i nivelit të lartë në kuadër të dialogut do të ndërmjetësohet nga përfaqësuesi i Unionit për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, si dhe i pranishëm do të jetë edhe emisari i BE-së, Miroslav Lajçak.

Kurti dhe Vuçiç biseduan për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit për herë të fundit më 14 shtator të vitit 2023, por pa ndonjë përparim, për shkak të qëndrimeve kontradiktore.

Disa ditë më vonë, më 24 shtator, një grup i serbëve të armatosur sulmoi policinë e Kosovës në fshatin Banjskë, pjesa veriore e Kosovës duke lënë të vrarë efektivin e policisë, Afrim Bunjaku.

Kosova e akuzoi Serbinë për këtë sulm, por Beogradi zyrtar e mohoi përgjegjësinë, e ndërsa autorët e vërtetë të sulmit nuk janë vendosur akoma para përgjegjësisë.

Përfaqësuesit e vendeve perëndimore u përpoqën disa herë që të bindin Kurtin dhe Vuçiçin që të ulen në tryezën e bisedimeve dhe të diskutojnë hapat për zbatimin e marrëveshjes, por pa asnjë rezultat.

Po ashtu, shefat e ekipeve negociatore të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, shkuan disa herë në Bruksel për të diskutuar për tejkalimin e krizave, por as mes tyre nuk u arrit ndonjë marrëveshje që do t’i shërbente përmirësimit të marrëdhënieve midis vendeve.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese