Kryetari shqiptar Ridvan Ibraimit i Haraçinës në Maqedoninë e Veriut u bë sot shenjestër e të shtënave me armë, ku si pasojë e plumbave, kanë mbetur dy persona të plagosur.
Mediat në Maqedoninë e Veriut raportojnë se nga atentati ndaj kryekomunarit i cili ishte duke lëvizur me makinë, kanë mbetur të plagosur shoferi dhe djali i tij.
Ministri teknik i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski ka konfirmuar për MPB-në se në shkëmbim zjarri është goditur shoferi i kryetarit të komunës dhe është qëlluar edhe ndaj një personi tjetër të punësuar në komunë.
Gjithashtu njoftohet se shoferi është dërguar në Urgjencën e Qendrës Shëndetësore në Shkup ku po i nënshtrohet një operacioni pasi një plum e ka kapur në kraharor. Drejtori i Klinikës për Kirurgji Torakale në Qendrën Klinike të Shkupit, Nexhati Yakup ka deklaruar se shoferi rreth 30-vjeç ka mbërritur me urgjencë dhe po i nënshtrohet një operacioni në gjoks.
Ndërsa sa i përket autorëve, banorë të Haraçinës kanë deklaruar se të shtënat me kallashnikov ndaj kryetarit kanë ardhur nga personat e njëjtë që vitin e kaluar u futën në zyrën e kryetarit Ridvan Ibraimi dhe e goditën.
Dhe i dyshuari është një person, siç e shpjegojnë banorët, një djalë i familjes Ajvazi, i njohur edhe për disa vepra penale dhe që kërkohet nga drejtësia e Maqedonisë së Veriut.
Të lënduar, përveç kryetarit të Haraçinës, Ridvan Ibraimi, ka mbetur edhe shtetasi A. A. djali i shoferit të kryetarit që po i nënshtrohet operacionit.
Në Maqedoninë e Veriut, termi komuna, si në rastin konkret Komuna e Haraçinës përdoret për bashkitë.