
Andrej Hoivik, një përfaqësues i Partisë Demokratike Sllovene (SDS) opozitare, është ngjitur dje në majë të ndërtesës së parlamentit slloven në Lubjanë.
Ai kërcënoi të hidhej nga çatia, raporton Dnevnik.si, ndërsa Policia, zjarrfikësit dhe një ambulancë mbërritën menjëherë në vendngjarje.
Zjarrfikësit ngritën një shkallë dhe Hoivik pranoi të zbriste poshtë dhe më pas iu dorëzua personelit mjekësor. Deputeti tha se "nuk fajëson askënd, madje as kryeministrin Robert Golob", por beson se "ajo që po bëjnë në këtë vend nuk është e drejtë".
Policia ka konfirmuar se nuk pati të lënduar, ndërsa incidenti po trajtohet si ndihmë emergjente për një person në krizë psikologjike.
Motivi i incidentit nuk dihet zyrtarisht, por mediat vendase thonë se Andrej Hoivik kishte treguar shenja të lodhjes emocionale në javët e fundit. Partia Demokratike Sllovene tha në rrjetet sociale se sprovat e jetës ndonjëherë janë shumë të vështira dhe kërkojnë mirëkuptim.