Vjosa Osmani ka akuzuar publikisht presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, teksa ka thënë se ai po ushtron presion ndaj serbëve të Kosovës për të mos marrë pjesë në votime.
Sipas saj kjo bëhet me qëllim largimin nga detyra të kryetarëve shqiptarë në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës. Për mediet, presidentja e Kosovës ka thënë:
“Ne jemi të përkushtuar që të vazhdojmë t’i mbrojmë të drejtat e qytetarëve tanë pa dallim, jemi të përkushtuar që serbët që jetojnë në Kosovë të shfrytëzojnë të drejtat që atyre u jep Kushtetuta, por për fat të keq disa prej tyre po lejojnë që të mbahen peng nga ana e Vuçiçit.
Po ashtu ta ndëshkojnë Vuçiçin i cili nuk e ka mbajtur fjalën që e ka dhënë para tyre që nuk do të ndërhyjë në kundërshtim me normat ndërkombëtare dhe normat e së drejtës sepse është shtet tjetër dhe nuk ka të drejtë të ndërhyj në procese zgjedhore në Kosovë”, tha presidentja Osmani.
Kujtojmë që Lista Serbe, subjekt kryesor i serbëve të Kosovës, ka vendosur mos të marrë pjesë në votimet e caktuara në datën 21 prill, duke akuzuar Albin Kurtin për përpjekje të vazhdueshme që votimet të dështojnë.