Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka deklaruar se ka njoftuar shtetet e QUINT-it (SHBA, Britani, Gjermani, Itali, e Francë) dhe institucionet e Bashkimit Evropian për bllokimin e shtetasve kosovarë në kufirin Serbi-Kroaci mbrëmjen e 16 prillit.
Nëpërmjet një deklarate në faqen zyrtare të ministrisë, thuhet se këto shtete janë vënë në dijeni për bllokimin e qytetarëve të Kosovës edhe gjatë ditës së sotme, në pikat e tjera kufitare të Serbisë me shtetet fqinje. Në njoftim thuhet se shtetasve kosovarë nuk u lejohet që të lëvizin përpara dhe as të kthehen pas, ndërsa shtojnë se udhëtarëve u janë marrë dokumentet personale si dhe ato të autobusëve. Po ashtu, disa prej tyre janë marrë dhe po vazhdojnë të merren në pyetje, shkruan ministria në deklaratë.
Sipas ministrisë, ky është një veprim hakmarrës, i paralajmëruar para pak ditësh nga vet presidenti i Serbisë Vuçiç, i cili vjen pas dështimit propagandues kundër anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, teksa kërkojnë që Serbia të marrë një përgjigje të merituar nga shtetet e QUINT-it për këto sjellje.
Deklarata e plotë e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës:
Më 16 prill, në orët e vona, pak orë pas votimit në favor të Kosovës të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, institucionet tona janë njoftuar, që në vendkalimin kufitar Kroaci-Serbi, në Batrovci, autobusë të operatorëve të ndryshëm të Republikës së Kosovës, të cilët duhej të kalonin tranzit nëpër Serbi, ishin ndaluar nga autoritetet kufitare të Serbisë.
Qytetarët e Kosovës që po vinin në drejtim të Kosovës janë ndaluar edhe në kufirin me Hungarinë, në pikat kufitare në Shid dhe Suboticë, te vendkalimi kufitar Dheu i Bardhë dhe nuk po lejohen as të lëvizin përpara dhe as të kthehen pas.
Për më tepër, të gjithë udhëtarëve u janë marrë dokumentet personale si dhe ato të autobusëve. Po ashtu, disa prej tyre janë marrë dhe po vazhdojnë të merren në pyetje.
Pas veprimeve arbitrare të Serbisë, institucionet tona, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar shtetet e KUINT-it, Institucionet e BE-së dhe të tjera ndërkombëtare rreth kësaj situate dhe presim që kjo situatë të përfundojë shpejtë.
Apelojmë tek të gjithë bashkatdhetarët dhe qytetarët që janë në lëvizje të evitojnë me çdo kusht kalimin nëpër Serbi dhe të ndjekin me vëmendje situatën.
Duke marrë parasysh faktin që në qarkullim janë shumë lajme të rreme, të cilat synojnë përhapjen e frikës dhe kaosit, ju lusim të ndiqni @Kosovo_Police rreth përditësimeve më të fundit zyrtare në këtë drejtim.
Ky veprim hakmarrës, i paralajmëruar para pak ditësh nga vet presidenti i Serbisë Vuçiç, i cili vjen pas dështimit të propagandues kundër anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, duhet të marrë urgjentisht përgjigjen e merituar nga bashkësia ndërkombëtare.