Bashkimi Europian ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që emisari i BE-së, Miroslav Lajçak të dërgojë në Komisionin e Venecias draft-statutin për Asociacionin.
Në një intervistë të dhënë së fundmi, Kurti tha se draftin e BE-së për Asociacionin, emisari sllovak, Miroslav Lajcak, duhet ta dërgojë vetë në Komisionin e Venecias dhe se Kurti si kryeministër, do ta çojë Draftin e Kosovës në Gjykatën Kushtetuese të saj.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka rikthyer në vëmendjen e Kurtit dy marrëveshjet e nënëshkruara në vitet 2013 dhe 2015, që nuk parashikojnë që Komisioni i Venecias të përfshihet në draftin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Përfshirja e Komisionit të Venecias nuk është paraparë si pjesë e marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015 për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe”,- ka deklaruar Stano.
Në deklaratën e tij, Stano shprehet se QUINT-i dhe BE i kanë bërë të qarta pozicionin dhe pritjet e tyre për hapin e radhës që Kosova duhet të ndërmarrë në procesin e implementimit të marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015 për themelimin e Asociacionit, përkatësisht dërgimin e Draftit të Bashkimit Evropian në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
“BE-ja dhe Quint-i e kanë bërë shumë të qartë qëndrimin dhe pritjet e tyre për hapin e ardhshëm që Kosova duhet të ndërmarrë në procesin e zbatimit të dy Marrëveshjeve të Brukselit (2013 dhe 2015) në lidhje me themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe, përkatësisht referimin e Draft Statuti Evropian në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe për Gjykatën Kushtetuese që ta shpallë kërkesën të pranueshme”,- ka vijuar deklarata e Stanos.
Sipas zëdhënësit të BE-së, Drafti Evropian është shkruar nga ekipi i Lajçak bashkë me ekspertë ligjorë nga Franca, Gjermania, Italia dhe SHBA, pasi palët s’kanë qenë të gatshme që të draftojnë një draft të tyre përgjatë procesit.
Stano thotë se pas prezantimit të Draftit të BE-se tek kryeministri Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç në tetorin 2023, hapi i radhës duhet të merret nga Kosova në pajtim me marrëveshjet 2013 dhe 2015.
“Draft Statuti Evropian u shkrua nga ekipi i Emisarit special-së së bashku me ekspertë të njohur ligjorë ndërkombëtarë, si dhe ekspertë nga Franca, Gjermania, Italia dhe SHBA-ja, pasi palët nuk ishin në gjendje të angazhoheshin vetë në një proces hartimi. Pas prezantimit të draftit evropian kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq në tetor 2023, Kosova duhet të ndërmarrë hapat e ardhshëm në përputhje me Marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, siç u theksua më lart”,- ka thënë zëdhënësi i BE-së.
Gjithashtu, Peter Stano shton se i përket Kosovës që si palë në Komisionin e Venecias të kërkojë këshilla juridike për draft-legjislacionin apo legjislacionet që janë në fuqi, përfshirë edhe Draftin Evropian për Asociacionin, ndërsa rithekson se Kosova duhet të përmbushë obligimet e saj ndaj marrëveshjeve të nënshkruara.
“I takon Kosovës si palë në Komisionin e Venecias që të kërkojë këshilla juridike për projektligjet ose legjislacionin tashmë në fuqi, duke përfshirë edhe Projekt Statutin Evropian. Ne presim nga Kosova që të veprojë shpejt për këtë çështje dhe t’iu japë fund vonesave në përmbushjen e obligimeve të veta”,- ka përfunduar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.