
Këshilli i Bashkimit Evropian ia ka zgjatur edhe formalisht mandatin të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, deri në janar të vitit 2025. Ky vendim, për të cilin më herët ishin marrë vesh vendet anëtare, tashmë është formal.
Vendimi u mor disa muaj pasi përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, e kishte emëruar Lajçak si ambasador të BE-së në Zvicër, ku ishte dashur të niste punën më 1 shtator, menjëherë pasi t’i skadonte mandati në rolin e lehtësuesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Me vazhdimin edhe për pesë muaj të në rolin e lehtësuesit të dialogut, BE-ja dëshiron të sigurojë që në këtë çështje të mos ketë vakum derisa pritet të emërohet pasardhësi i tij.
Emërimi i pasardhësit të Miroslav Lajçak është lidhur tani në mënyrë direkte me procedurën për emërimin e udhëheqësve të rinj në institucionet e BE-së për mandatin e ardhshëm pesëvjeçar.
“Në rastin më të mirë, Kallas do të mund të nisë punën si pasardhëse e Borrellit më 1 nëntor. Pastaj do t’i duhet së paku disa javë që të vendosë se kë dëshiron ta emërojë si të dërguar të posaçëm për dialog mes Kosovës dhe Serbisë. Prandaj, BE-ja e ka parë të rrugës që t’i zgjasë edhe për pesë muaj mandatin Lajçakut me shpresë se deri atëherë do të emërohet pasardhësi i tij“, i ka thënë Evropës së Lirë një diplomat evropian.
Për shkak të rrethanave në dialog, i cili nuk po prodhon rezultate në formën e pajtimit të palëve, diplomatët në Bruksel nuk presin që në muajt në vijim të ketë ndonjë kthesë në këtë proces. Lajçak dhe Borrel patën një përpjekje në fund të qershorit për të organizuar një takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Por, ato përpjekje dështuan.
Edhe pse Kurti dhe Vuçiq shkuan në Bruksel duke iu përgjigjur ftesës së BE-së, takim të përbashkët mes tyre nuk pati. Takimi i fundit në nivelin e lartë në kuadër të dialogut ishte zhvilluar më 14 shtator të vitit 2023.
Mungesën e takimeve në këtë nivel diplomatët e shohin si dëshmi se procesi nuk po shkon me dinamikën e dëshiruar. /REL