Zyrtarë të lartë të qeverisë në Kosovë kanë reaguar mbi vendimin e Asamblesë Parlamentare për ti dhënë dritën jeshile të anëtarësimit të saj në Këshillin e Europës.
Në reagimin e saj, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cilësoi votimin si një moment historik në rrugëtimin e evropian, ndërsa shtoi se ajo është një dëshmi e përkushtimit për drejtësi, barazi dhe për parimet themelore të demokracisë.
“Sot Kosova shënoi një moment historik në rrugëtimin e saj evropian. Votimi i sotëm në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës është një dëshmi e përkushtimit tonë për drejtësi, barazi dhe për parimet themelore të demokracisë. Falënderim nga zemra të gjithë atyre që nëpërmjet votës PËR mbështetën të gjithë qytetarët e Kosovës dhe kauzën tonë për të drejta të njeriut. Urime Kosovës dhe të gjithëve që kanë kontribuar në këtë arritje historike! Edhe një hap drejt anëtarësimit të plotë!”, shkruan në rrjetin social, Facebook, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka përshëndetur vendimin e Asamblesë, ndërkaq shprehet pozitiv se përmbyllja e këtij rrugëtimi do të jetë i suksesshëm për Kosovën.
“Asambleja Parlamentare i thotë PO Kosovës. Jemi edhe një hap më afër dhe vetëm një hap larg anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
Faza e radhës dhe e fundit që na pret është ministeriali në muajin maj. Meqenëse që nga viti 1951, Komiteti i Ministrave nuk ka marrë vendim ndryshe nga Opinioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, besojmë që edhe faza e ardhshme do të përmbyllet me sukses. Megjithatë, puna jonë do të vazhdojë.
Nga anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, fiton demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut. E me Kosovën aty, Këshilli i Evropës fiton një demokraci të re e të gjallë, ku sundon ligji e respektohen të drejtat e njeriut.
Faleminderit të gjithëve. Urime të gjithëve”,- shkruan kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.