Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut konfirmoi zyrtarisht ditën e sotme, arratisjen e Blerim Ramadanit, ish-anëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili ishte ndaluar nga autoritetet policore maqedonase, në kuadër të një urdhër-arresti të lëshuar nga Serbia.
Ai u arrestua me qëllim ektradimin, më 17 korrik në pikën e kalimit kufitar Jazhincë, që lidh Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, në bazë të një fletarrestimi të lëshuar nga Gjykata në Beograd, përmes INTERPOL Serbia, nën akuza për krime lufte.
Megjithatë, arrestimi i tij u ciëlësua si i padrejtë nga veteranët e luftës si dhe autoritetet e Kosovës dhe disa politikanë në Maqedoninë e Veriut.
Në fillimin e këtij muaji, në 1 gusht, një gjykatë maqedonase më 1 gusht urdhëroi që Blerim Ramadani të dërgohet nga paraburgimi në arrest shtëpiak deri në një vendim të dytë që pritej të merrej në datën 16 gusht.
Autoritetet nuk japin hollësi mbi rrethanat e arratisjes së shtetasit të Kosovës, teksa një media online në gjuhën maqedonase shkruan se “Ramadani është arratisur nga shtëpia e miqve të tij në Shkup, ku qëndronte nën arrest shtëpie në bazë të një urdhri të gjykatës themelore në Shkup”.
Sipas portalit sdk.mk, pas ankesës së Prokurorisë tre gjykatës të Gjykatës Penale të mërkurën i kishin caktuar Ramadanit masën e sigurisë të paraburgimit prej 30 ditësh, për shkak të rrezikut se mund të arratisej. Gjithnjë sipas portalit, dikush nga Gjykata Penale e kishte njoftuar zotin Ramadani dhe më pas është arratisur.
Javën e kaluar ministria e Jashtme e Kosovës tha se një gjykatë në Shkup vendosi të mos e dorëzojë tek autoritetet serbe zotin Ramadani, i cili do të vazhdojë të qëndrojë në arrest shtëpie në Shkup deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës së Lartë të Maqedonisë së Veriut.
Ministri serb i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiç ka kërkuar shpjegime nga pala maqedonase për arratisjen e ish-ushtarit të UÇK-së, ndërsa e ka quajtur rastin “një arratisje skandaloze nga arresti i shtëpisë të një terroristi dhe krimineli të luftës”.
Çështja ka përplasur partitë politike në vend, ndërkohë që organet e rendit dhe gjyqësori kanë hedhur poshtë akuzat që i ngarkojnë me faj në këtë rast. Ministria e Punëve të Brendshme ishte e ngarkuar për mbikëqyrjen dhe konrtollin e Blerim Ramadanit, sipas Gjykatës Penale.
Lidhja Social Demokrate e opozitës kërkon llogaridhënie nga ministri i rendit, Pançe Toshkovski, prej të cilit kërkon dorëheqjen nga posti për shkak të përgjegjësisë direkte për arratisjen e Ramadanit. Ndrkohë, ministri Toshkovski kërkokn të dijë pse gjykata vendosi ta lërë Ramadanin në arrest shtëpie dhe jo në paraburgim.
Nga ana tjetër, Bashkimi Demokratik për Integrim e shikon rastin si një “sjellje vasale të qeverisë në Shkup ndaj fqinjëve, duke arrestuar ish-pjesëtarë të UÇK-së”. Ndërkohë, partitë e koalicionit Vlen në qeveri thonë se zoti Blerim Ramadani as nuk duhej arrestuar fare dhe se ai ishte mbajtur gjatë kohë në paraburgim.