Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Rajoni

Anëtarësimi i Kosovës në KiE në pikëpyetje, Kurti: Shtetet demokratike të BE, po na kushtëzojnë me themelimin Asociacionit

Shkruar nga Newsbomb
Anëtarësimi i Kosovës në KiE në pikëpyetje, Kurti:
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se Kosova është duke u kushtëzuar nga disa shtete kryesore të BE-së për anëtarësimin e saj në Këshillin e Europës.

Në mbledhjen e zhvilluar ditën e sotme me kabinetin e tij qeveritar, Kurti tha se Kosovës i është kërkuar që të dorëzojë në Gjykatën Kushtetuese një draft-statut që pranon themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa shton se këtë gjë ai nuk do ta pranojë.

Pengesat për anëtarësim në këtë organizatë i mendonim nga shtetet të cilat deri më tani nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës, por asesi dhe asnjëherë nuk e mendonim që pengesë do të bëheshin shtetet demokratike të cilat kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë përkrahëse të Kosovës për zhvillim e demokratizim, e më herët ishin krah nesh për çlirim e demokratizim”,- tha Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë.

Kryeministri Kurti shtoi se Qeveria e Kosovës nuk e ka pranuar këtë draft, pasi më herët ai i është propozuar edhe nga emisari i BE-së për përmirësimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, Miroslav Lajçak në tetor të vitit të shkuar, pasi sipas tij Qeveria nuk do të pranojë kushtëzimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës me Asociacion.

Më lejoni të përsëris se Qeveria nuk e ka pranuar draftin e propozuar nga emisari Lajçak sepse ai është refuzuar më 26 tetor 2023 e dy ditë para lësaj, unë kam dorëzuar vërejtjet e mia kapitale për atë draft-statut, pra më 24 tetor. Dhe e dyta, Qeveria nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës me Asociacion. Për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë bisedojmë në Bruksel, jo në Strasburg”,- tha Kurti.

Nisur nga nga marrëveshja e nënshkruar midis palëve, Kurti thotë se nuk mund të ngatërrohen nenet e kësaj marrëveshje, duke cilësuar disa gjëra më të rëndësishme se të tjerat.

Neni 7 i marrëveshjes bazike edhe në ndërlidhje me nenin 10 nuk mund të nxjerret jashtë marrëveshjes, nuk mund të vendoset në qendër të saj dhe as sipër saj si një çështje urgjente”,- tha Kurti.

Gjithashtu, Kurti shprehet se bashkë me presidenten Vjosa Osmani dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca kanë dorëzuar një letër garancie pranë institucioneve të Bashkimit Evropian në 22 mars të këtij viti, ku zotohen se pas anëtarësimit, ato do të mbajnë premtimet e kërkuara nga Bashkësia Kombëtare, përfshirë këtu edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Më datë 22 mars, sivjet, pra 2024, kur po shënonim 3-vjetorin e zgjedhjes së Qeverisë sonë, bashkë me presidenten e Kosovës, kryetarin e Kuvendit dhe unë si kryeministër, pra tre krerë institucionesh të shtetit të nivelit më të lartë dhamë një letër garantuese me zotimet tona për të ardhmen pas anëtarësimit, tamam siç na u kërkua”,- u shpreh Kurti në mbledhjen e sotme.

Kurti shton se më tepër se letrën e garancisë të dorëzuar nga nivelet më të lartë të qeverisë, askush nuk mund të kërkojë më shumë për këtë çështje.

Natyrisht që ne nuk mund të themi që garancat tona të nivelit me të lartë nuk janë garanca të vlefshme. Më shumë se ajo letër nuk mund të kërkojë askush”,- shtoi Kurti.

Për kryeministrin e Kosovës, Kurti, mungesa e përkrahjes është një keqardhje dhe se ajo nuk do ti ndihmojë normalizimit të dialogut, si dhe nuk kontribuon në demokracinë, paqen dhe sigurinë e vendit.

Mungesa e përkrahjes është për keqardhje. Nuk do t’i ndihmojë normalizimit të dialogut dhe nuk i kontribuon demokracisë, paqes dhe sigurisë”,- tha kryeministri.

Kurti shton se kërkon anëtarësim meritor dhe kjo mundësi nuk mund të kufizohet apo refuzohet, pasi konsideron që Kosova e meriton anëtarësimin në KiE, duke qenë se sipas Kurtit ndajnë të njëjtat vlera të përbashkëta dhe plotësojnë standartet e kërkuara.

Ne duam anëtarësim meritor, sepse konsiderojmë që e meritojmë anëtarësimin në Këshillin e Evropës meqenëse ndajmë vlerat e përbashkëta dhe plotësojmë standardet. Kjo e drejtë dhe kjo mundësi nuk bën të kufizohet dhe refuzohet duke vonuar anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë”,- përfundoi Kurti.

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese