Kryetari i delegacionit gjerman në Këshillin e Evropës, Frank Schwabe ka deklaruar se shancet që Kosova të anëtarësohet në KiE janë 50/50. Sipas Deutsche Welle, Schwabe është shprehur se votat që Kosova mblodhi në Asmblenë Kombëtare ishin një sukses dhe me shumë domethënie, por kjo nuk do të thotë që ajo ka pasur një progres të dukshëm, pasi nuk ka realizuar të gjitha pikat që i ishin kërkuar.
Kryetari i delegacionit, Schwabe thotë gjithashtu se zyrtarët e Kosovës duhet të marrin parasysh që të përmbushin kushtet e kërkuara nga ndërkombëtarët, që të arrijnë të bindë Komitetin e Ministrave në maj për tu bërë pjesëtare e organizatës së KiE.
“Nga këndvështrimi i sotëm, shanset janë 50/50 për qind. Hapi domethënës që arritëm me shumicën në Asamblenë Parlamentare sigurisht që ka lënë përshtypje tek qeveritë, ministrat dhe komisionet. Por ka ende shumë për të bërë”,- tha politikani socialdemokrat Frank Schwabe.
Në kahun tjetër, kryetari i Iniciativës Evropiane për Stabilitet (ESI), Gerald Knaus është më skeptik në lidhje me pranimin e Kosovës në Këshillin Europian. Për Knaus, Serbia po lobon shumë fort kundër këtij anëtarësimi, ndërsa shton se presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç po bën një fushatë të ashpër për të shtyrë votimin e saj në Komitetin e Ministrave.
“Ne vëmë re që presidenti i Serbisë po bën një fushatë të suksesshme për të bindur shtetet kyçe në Evropë që të shtyjnë votimin për pranimin e Kosovës për momentin, duket sikur presidenti Vuçiç do ta fitojë këtë betejë”,- ka thënë Knaus.