Ambasadori i Gjermanisë për Kosovën, Jorn Rohde ka deklaruar se për Kosovën e pret një rrugëtim i vështirë. Sipas Rohde, Kosova duhet të punojë shumë që të sigurojë shumicën e votave në Këshillin e Ministrave të Jashtëm në Këshillin e Evropës.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin social X, ambasadori shtoi se autoritetet e Kosovës duhet të bëjnë gjithcka për të vërtetuar që vendimi i sotëm i Asamblesë ishte i merituar.
“Tani vjen puna e vështirë: në mënyrë që ta sigurojë shumicën e nevojshme prej dy të tretave në Komitetin e Ministrave në maj, Kosova duhet të bëjë çfarë është e nevojshme për të bindur me merita dhe veprime”, shkroi Rohde në rrjetin social X.
Reagimi i tij vijnë pasi Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës votoi “pro” për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, gjatë një seance plenare të mbajtur këtë të martë në Strasburg.
Fjalën përfundimtare për anëtarësimin e Kosovës në KiE duhet ta japë Këshilli i Ministrave të Europës në maj, të cilët duhet të vendosin përfundimisht për të pranuar apo jo Kosovën si anëtaren më të re të organizatës.