Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hoveiner, ka përfunduar këtë të premte zyrtarisht mandatin e tij tre-vjeçar.
Ditën e sotme, ai ka zhvilluar një takim lamtumire edhe me presidenten Vjosa Osmani të cilën e falënderoi për bashkëpunimin gjatë këtyre tre viteve të qëndrimit të tij në Kosovë.
Gjatë fjalës së tij ai theksoi simbolikën e përmbylljes së misionit të tij me të njëjtin akt që e nisi, vendosjen e një kurore lulesh te statuja e ish-presidentit Ibrahim Rugova, duke nderuar figurën dhe vlerat për të cilat ai qëndronte.
Hovenier kujtoi me mirënjohje përpjekjet e presidentit Rugova për një Kosovë demokratike, sovrane dhe të ndërtuar mbi vlerat e larta ndërkombëtare.
“I dorëzova kredencialet e mia presidentes, dhe akti im i parë zyrtar publik ishte të bashkohesha me presidenten për të vendosur një kurorë këtu te statuja e ish-presidentit Rugova. Dhe më dukej shumë e përshtatshme që akti im i fundit zyrtar si ambasador i SHBA në Kosovë të ishte të mbyllja këtë cikël duke bërë të njëjtën gjë. E bëj këtë në kujtim të presidentit Rugova dhe asaj për çka ai qëndronte, këmbënguljes së tij për të drejtat e të gjithë njerëzve të Kosovës, këmbënguljes së tij për një shtet sovran, demokratik, shumetnik dhe të begatë, këmbënguljes së tij për të ndjekur këto qëllime në përputhje me vlerat më të larta të komunitetit ndërkombëtar”, tha ai ndër të tjera.
Gjithashtu, ambasadori falenderoi popullin e Kosovës për bashkëpunimin dhe përparimin që ka parë gjatë gjithë këtyre viteve, duke e quajtur këtë detyrën “ëndrrën e jetës së tij”.
Ndër të tjera ai theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të qëndrojnë gjithmonë krah Kosovës.
“Duam ta shohim Kosovën të ketë sukses dhe të përparojë. Kur mendoj se si ishte ky vend kur fillova të punoja për të në fund të viteve ’90-të, kur mendoj se si ishte në kohën e pavarësisë dhe kur mendoj se si është tani, nuk ka asnjë dyshim për përparimin dhe për kapacitetin e njerëzve të Kosovës, për qëndrueshmërinë e tyre për të realizuar vizionin e tyre për një shtet sovran, të pavarur, demokratik, shumetnik, të begatë dhe të suksesshëm”, theksoi ai.
Pjesë nga fjala e ambasadorit:
Siç tha presidentja Osmani, sapo përfunduam takimin tonë lamtumirës, dhe ky është grupi im i fundit i takimeve zyrtare si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Kosovë. Siç e përmendi edhe presidentja, tre vjet më parë, pothuajse saktësisht tre vite më parë, në fillim të janarit 2002, mbërrita në këtë vend. I dorëzova kredencialet e mia presidentes, dhe akti im i parë zyrtar publik ishte të bashkohesha me presidenten për të vendosur një kurorë këtu te statuja e ish-presidentit Rugova. Dhe më dukej shumë e përshtatshme që akti im i fundit zyrtar si ambasador i SHBA në Kosovë të ishte të mbyllja këtë cikël duke bërë të njëjtën gjë.
E bëj këtë në kujtim të presidentit Rugova dhe asaj për çka ai qëndronte, këmbënguljes së tij për të drejtat e të gjithë njerëzve të Kosovës, këmbënguljes së tij për një shtet sovran, demokratik, shumetnik dhe të begatë, këmbënguljes së tij për të ndjekur këto qëllime në përputhje me vlerat më të larta të komunitetit ndërkombëtar. Pata kënaqësinë ta njihja atë si një diplomat shumë i ri në atë kohë, dhe e respektoja jashtëzakonisht shumë. Prandaj, jam shumë krenar dhe i nderuar që mund t’i bëj këtë nder si aktin tim të fundit zyrtar.
Gjithashtu, dua të falënderoj popullin e Kosovës. Ka qenë detyra e ëndrrave të mia të shërbej si ambasador i SHBA-së këtu për këta tre vjet dhe të kem këtë mundësi të punoj së bashku me popullin e Kosovës për të ndihmuar avancimin e vendit. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj partneritetit tonë. Duam ta shohim Kosovën të ketë sukses dhe të përparojë. Kur mendoj se si ishte ky vend kur fillova të punoja për të në fund të viteve ’90-të, kur mendoj se si ishte në kohën e pavarësisë dhe kur mendoj se si është tani, nuk ka asnjë dyshim për përparimin dhe për kapacitetin e njerëzve të Kosovës, për qëndrueshmërinë e tyre për të realizuar vizionin e tyre për një shtet sovran, të pavarur, demokratik, shumetnik, të begatë dhe të suksesshëm. Ka qenë kënaqësia dhe nderi im të luaj një rol të vogël në mbështetjen e këtij procesi. Së bashku me popullin amerikan, ju uroj të gjithëve çdo sukses. Do të largohem si një mik edhe më i fortë i Kosovës sesa isha kur mbërrita.