Kryeministri Albin Kurti është takuar në selinë e Ambasadës së Kosovës në Bruksel me Ndihmës Sekretarin për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit amerikan, James O'Brien. Të dy, kanë biseduar për sulmin terrorist të javës së kaluar në kanalin e Ibër Lepencit.
"Sulmi i të premtes është sulmi më i madh dhe më serioz ndaj infrastrukturës kritike, që për qëllim kishte rrënimin e shërbimeve esenciale, si rryma, uji dhe telekomunikimi, dhe çrregullimin e jetës shoqërore dhe ekonomike si dhe të funksionimit të institucioneve", shkruan Albin Kurti.
Kryeministri i Kosovës e ka falenderuar Ndihmës Sekretarin O'Brien dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e tyre ndaj Republikës së Kosovës pas sulmit terrorist të së premtes së shkuar, dhe për sjelljen e përgjegjësve para drejtësisë.
"Marrëdhëniet dypalëshe dhe forcimi i partneritetit e aleancës janë gjithmonë pjesë qendrore e diskutimeve tona", shkruan më tej Albin Kurti.
Kreu i qeverisë së Kosovës thekson se sulmi terrorist ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës ishte i menduar dhe planifikuar mirë dhe i ekzekutuar profesionalisht. "Dënimi njëzëri i këtij sulmi terrorist dhe kërkesa e përbashkët për dhënie të përgjegjësisë nuk është vetëm kërkesë për llogaridhënie nga autorët por edhe masë parandalimi të sulmeve të ngjashme në të ardhmen", shton ai.