Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë një reagim zyrtar për takimin që ka pasur dje në Prishtinë me kryeministrin Edi Rama, anëtarët e kabinetit dhe deputetët e Kuvendit të Shqipërisë.
"Kur bëhemi bashkë, edhe punët janë më të mira edhe e rritin imazhin e kombit shqiptar, kësaj radhe duke e dëshmuar institucionalisht traditën tonë të mirënjohur të mikpritjes edhe në organizimin e ngjarjeve të mëdha sportive ndërkombëtare.
Sot në kryeministri, pas seancës së përbashkët ndërmjet dy kuvendeve tona, me Kryeministrin Rama nënshkruam Marrëveshjen e Bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030", shkruan Albin Kurti.
Në këtë mbledhje të përbashkët është bërë bilanci i zbatimit të 30 marrëveshjeve të përbashkëta ndërqeveritare Kosovë-Shqipëri. Kjo ka qenë mbledhja e dytë e përbashkët e dy parlamenteve, qëkur deputetët e Shqipërisë dhe Kosovës u takuan për herë të parë të dielën e 27 Nëntorit 2022 në Tiranë, në vigjilje të 110 vjetorit të Pavarësisë.