
Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka reaguar pas publikimit të një telefonate të rreme, ku dy komedianë rusë mashtruan Albin Kurtin duke u shtirur si presidenti i Letonisë, Edgar Rinkevics.
Në deklaratën zyrtare, Zyra e Kryeministrit konfirmoi autenticitetin e telefonatës dhe sqaroi se incidenti ndodhi më 11 shkurt, vetëm pak ditë pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Për shkak të fluksit të madh të mesazheve dhe telefonatave pas zgjedhjeve, kjo bisedë nuk u verifikua menjëherë, duke bërë që Kurti të bisedonte me komedianët duke menduar se po fliste me kreun e shtetit letonez.
Sipas qeverisë së Kosovës, ndonëse bëhet fjalë për një mashtrim, qëndrimet e shprehura nga Kurti në këtë telefonatë janë në përputhje të plotë me ato që ai ka shprehur gjithmonë publikisht.
"Ngjarja ka ndodhur më 11 shkurt, pak pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, në një periudhë kur kryeministri Kurti po pranonte mesazhe të shumta urimi dhe thirrje për rezultatin e zgjedhjeve. Për shkak të kohës, jo gjithmonë ishte e mundur të kryheshin verifikimet e plota të çdo telefonate.
Ky incident fatkeq përforcon atë që kemi e ditur prej kohësh: Rusia është e fiksuar pas Kosovës dhe vazhdon ta ketë cak vendin tonë. Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Sputnik Serbia dhe Russia Today (RT) publikuan mbi 60 lajme të rreme dhe artikuj dezinformues, duke ndërhyrë në procesin tonë demokratik, siç dokumentohet nga Misioni i BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve.
Teksa na vjen keq që kryeministri Albin Kurti u bë shënjestër e një thirrje të tillë, ky episod rikonfirmon qëndrimet parimore dhe konsistente të kryeministrit Kurti për çështjet kyçe, si në biseda publike ashtu edhe në ato private."-thuhet në reagim.