
Institucionet arsimore në Shkup dhe qytete të tjera në Maqedoninë e Veriut janë avakuuar mëngjesin e kësaj të premteje, për shkak të raportimeve për kërcënime me bombë.
Mediat lokale bëjnë me dije se raportimet për vendosjen e mjeteve shpërthyese janë pranuar në postat elektronike zyrtare të institucioneve arsimore, ndërsa policia ka marrë masa për evakuimin e nxënësve dhe punonjësve.
Kërcënime për bombë ka pasur në disa shkolla në Aerodrom të Shkupit, në Komunën Qendër dhe në Shtip, ka njoftuar Ministria e Punëve të Brendshme. Po ashtu, kërcënime ka pasur edhe në shkolla në Tetovë, Ohër dhe Kumanovë.
Ndërkohë, kryetari i Komunës së Shtipit, Ivan Jordanov ka thënë se këto raportime janë të rreme, teksa i quajti një “sulm kibernetik”. Mësohet se pas inspektimeve nga Ministria e Punëve të Brendshme, mësimi ka rifilluar në shumë shkolla, ndërsa më shumë informacione lidhur me këto incidente priten gjatë ditës.
Raste të ngjashme të kërcënimeve më bombë ka pasur edhe në fund të vitit 2022, kryesisht në Shkup. Gjithashtu, po atë vit, një alarm me bombë u raportua edhe në hotelin ku ishte organizuar një aktivitet për ish-kryeministrin Dimitar Kovaçevski, si dhe Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit, të cilat u konstatuan të rreme.