
Autoritetet e Kosovës kanë njoftuar se kanë arrestuar një shtetas serb në Leposaviq, nën akuzën se ka kryer krime lufte kundër popullatës civile në regjionin e Gjakovës në vitet 1998-1999.
Në njoftimin e policisë thuhet se shtetasi me iniciale S.L., ishte vënë nën hetim nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës para disa muajve dhe pas mbledhjes së të dhënave , i njëjti ka rezultuar i përfshirë në vrasjen e civilëve gjatë luftës.
Gjithashtu, të arrestuarit i është bastisur shtëpia në Leposaviq, ku janë gjetur dhe konfiskuar dëshmi relevante që vërtetojnë përfshirjen e tij në ngjarjet makabre të luftës.
Njoftimi i Policisë së Kosovës:
Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës pas një pune hetimore disa mujore me datë 20.06.2024 ndaj një të dyshuari të identifikuar ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të RKS-së nën dyshimin e arsyeshëm se personi i dyshuar me iniciale (S.L.) duke vepruar në mënyrë individuale dhe në bashkëkryerje ka kryer veprën penale ‘’Krimet e luftës kundër popullatës civile” gjatë luftës në Kosovë, në regjionin e Gjakovës (1998/1999) .
Konsultimet e fundit me prokurorin e rastit kanë rezultuar me vlerësimin qe veprimet e mëtejme hetimore të orientohen drejt sigurimit të prezencës së të pandehurit në këtë qështje penale.
Andaj, sot më 27.06.2024, Policia e Kosovës, konkretisht hetues nga Drejtoria për hetimin e krimeve të luftës (DHKL), në bashkëpunim me agjentë nga AKI dhe të mbështetur nga njësit policore të rendit të DRP Mitrovicë veri kanë realizuar një plan taktik me ç’rast në Leposaviq është ndalu dhe arrestuar i dyshuari m/s me iniciale (S.L.).”
Të njëjtit me urdhër nga organet e drejtësisë i është bastisë shtëpia në Leposaviq ku hetuesit kanë konfiskuar dëshmi relevante të cilat do të trajtohen gjatë procedurës së mëtejme hetimore. I dyshuari është sjell në ambientet policore për procedura të mëtejme të intervistimit.