
Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se do të tërhiqet si president i Serbisë, nëse faktohet se ndaj protestuesve u përdor arma vdekjeprurëse 'top zanor'.
"Unë nuk jam më president i Serbisë nëse faktohet se ndaj protestuesve u përdor 'top zanor’," ka thënë Vuçiç.
Studentët, që e organizuan protestën e 15 marsit duke kërkuar se duhet të përcaktohet përgjegjësia për ngjarjen në Novi Sad, akuzuan autoritetet se kanë përdorur top zanor teksa protestuesit po mbanin 15 minuta heshtje për 15 të vdekurit.
Në video-incizimet e publikuara në rrjetet sociale, shihen qytetarë të mbledhur në protestën e 15 marsit që largohen pasi dërguan një zhurmë, papritur shpërthen një tingull i fortë zanor dhe të gjithë vrapojnë t’i largohen valës së tij. Ngjarja shkaktoi panik mes qytetarëve dhe për momentin nuk ka informacione zyrtare mbi atë që shkaktoi një reagim të tillë të turmës.
Ky top zanor mund të lëshojnë tinguj deri në 160 decibel, i barabartë me qëndrimin pranë një rakete dhe që dëmton daullen e veshit deri në shurdhim. Dhimbje veshi dhe çorientime ishin shqetësimet e protestuesve duke akuzuar qeverinë për përdorimin e pajisjeve akustike në protestë.
Ndërkohë, Serbia kërkoi zyrtarisht angazhimin e FBI dhe FSB ruse, në hetimet për zbardhjen e përdorimit ose jo të topit zanor në protestën antiqeveritare të 15 marsit në Beograd.