
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar sot një takim me Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi. Tema kryesore e këtij takimi ishte mbarëvajtja e procesit zgjedhor, ku Osmani theksoi rëndësinë e angazhimit të plotë për garantimin dhe ruajtjen e integritetit të këtij procesi.
Vonesat në fillimin e numërimit të votave të kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe problemet e njëpasnjëshme me faqen e KQZ-së, softueri i së cilës për raportimin e rezultateve ra nga sistemi vazhdimisht, kanë ngritur dyshime për integritetin e procesit zgjedhor.
Presidenca tha se Radoniçi sqaroi para presidentes Osmani se KQZ-ja i ka njoftuar “menjëherë” institucionet e sigurisë dhe ato të drejtësisë lidhur me problemet e evidentuara në platformën elektronike të raportimit të rezultateve.
Konkretisht institucioni zgjedhor po verifikon formularët e plotësuar në çdo vend numërimi. Procesi i numërimit këtë mëngjes ka nisur në orën 8:00 në gjysmat e komunave të Kosovës për kandidatët e partive dhe po zhvillohet së bashku me verifikimin e votës për partitë. Institucioni thotë se nisja e procesit në gjysmën tjetër të komunave të vendit do të bëhet në një moment tjetër dhe se për këtë do të ketë një njoftim.
Këto vonesa mund ta shtyjnë shpalljen e rezultateve përfundimtare, pasi pas numërimit të këtyre votave dhe verifikimit të votave për subjektet politike, duhet të numërohen edhe votat jashtë Kosovës, ato me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta.
Ndërkohë, kur janë numëruar mbi 99 për qind e votave vetëm për subjektet politike, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, i ka fituar 40.81 për qind të votave, sipas KQZ-së.
Partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, i ka fituar 22.16 për qind të votave, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës i ka siguruar 17.60 për qind të votave.