
Kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial në përkujtimin të masakrës së Reçakit. Kurti dhe Osmani kanë vënë kurora lulesh pranë lapidarit kryesor në këtë kompleks përkujtimor, aty ku dhe janë të vendosura të gjithë emrat dhe fotografitë e civilëve të vrarë nga forcat serbe, më 15 janar të vitit 1999, në fshatin Reçak.
Kryeministri Kurti është shprehur për mediat se masakra e Reçanit ishte gjenocid ndaj popullisë së Kosovës. Gjatë fjalës së tij, Kurti theksoi se ka kërkuar gjykim të autorëve, duke shtuar se nuk ka mbaruar beteja për drejtësi.
“Masakra e Reçakut ishte gjenocid ndaj popullsisë së Kosovës”, u shpreh Kurti.
Ndërkohë më herët, presidentja Vjosa Osmani ka thënë se e vërteta e Reçakut është e pamohueshme, në një takim që pati me ish-ambasadorin që i bëri jehonë masakrës në botë, William Walker.
Kosova përkujton sot 26 vjetorin e masakrës së Reçakut, ku forcat serbe vranë mbi 45 civilë të pafajshëm shqiptarë. Masakra u dëshmua nga misioni i OSBE-së në Kosovë, e cila solli edhe ndërhyrjen e NATO-s.
Ngjarja e rëndë nxiti reagimin e ndërkombëtarëve ku NATO vendosi të sulmoi caqet ushtarake policore serbe, bombardime këto që zgjatën 78 ditë. Fundi i tyre u shënua më 10 qershor 1999 kur edhe u miratua Rezoluta 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.