
A e kishit imagjinuar që shkrimtari i njohur ndërkombëtar Orhan Pamuk, fitues i Nobelit 2006 në Letërsi ka interes të dijë për Shqiptarët dhe Kosovën?
E tregon kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili, gjatë vizitës në Turqi, ka marrë një ftesë surprizuese për darkë nga shkrimtari i njohur dhe në rrjetin e tij social facebook, publikon edhe foto nga darka, me përshtypjet e tij për këtë takim.
“Në fillim nuk i besova doktorit Bilgin Sait, që shkrimtari Orhan Pamuk po më fton për darkë. Gjersa afrohej mbrëmja, minutat më dukeshin të gjata porsi orët, ndërkaq tri orë e gjysmë me të më ikën porsi minutat.
Në restoranin Sur Balık-Cihangir të lagjes Beyoğlu në Stamboll temat e bisedës ndërroheshin më shpesh se pjatat mbi tryezë. Mbase arritëm të shkruajmë përmbledhjen hyrëse të kapitujve të miqësisë sonë të ardhshme. Artisti Orhan Pamuk, fitues i çmimit Nobel për Letërsi në vitin 2006, ka një dashamirësi spontane dhe vëmendje të frikshme. Dhe, aq shumë i interesuar për Kosovën, shqiptarët, Ballkanin. Nder që nuk e shpjegoj, kënaqësi që nuk e përshkruaj” - shkruan Kurti.
Pamuk është një ndër shkrimtarët më prominentë turk që ka shitur 13 milionë libra në 63 gjuhë të botës, duke e kthyer atë në shkrimtarin më të shitur të Turqisë. 71 vjeçari është përkthyer gjerësisht edhe në gjuhën shqipe.