
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Hungari mbrëmjen e djeshme, ku një varkë është fundosur në lumin Danub. Sipas agjecisë së lajmeve Associated Press, të paktën 2 persona kanë humbur jetën, ndërkohë që 5 të tjerë raportohen të zhdukur.
Autoritetet vendase gjetën të shtunën në mbrëmje në bregun e Danubit pranë qytetit të Veroces, një burrë të gjakosur në kokë, ndërsa u përcaktua se ai ishte përfshirë në një aksident me varkë pak më herët.
Pas disa orësh kërkime, policia gjeti dy trupa të pajetë, një burrë dhe grua ndërkohë që vijon puna për gjetjen e 5 personave të tjerë të zhdukur, të cilët mendohet se ishin në varkë në kohën që ajo është fundosur.
Më vonë, është zbuluar edhe varka e dëmtuar në ujë, e cila u nxor në breg, teksa vijon puna për zbardhjen e rrethanave të aksidentit të varkës së fundosur.
Policia ka bërë të ditur se mundësitë janë që ajo të jetë përplasur me një varkë tjetër hoteli, e cila ka qenë e pranishme në atë zonë, në momentin që besohet të ketë ndodhur aksidenti fatal.
Ngjarja e rëndë vjen pesë vjet pas aksidentit vdekjeprurës, ku të paktën 27 persona vdiqën në Budapest duke qenë se një anije lundrimi në lumë u përplas me një anije turistike më të vogël, duke e fundosur atë brenda ujit pas disa sekondash.