Autoritetet serbe kanë nisur hetimet pas tragjedisë në Novi Sad, ku shembja e strehës së betonit në hyrjen e një stacioni hekurudhor rezultoi në vdekjen e 14 personave, nga të cilët 5 ende nuk janë identifikuar.
Ngjarja e rëndë ndodhi të premten, në një ditë normale me mot të mirë. Ekipet e kërkim-shpëtimit punuan gjatë natës për të nxjerrë viktimat dhe të plagosurit nga rrënojat.
Ministri i Transportit, Goran Vesic, njoftoi se hetimet do të përfshijnë Institutin shtetëror të Trafikut, kompaninë shtetërore për hekurudha dhe një konsorcium kinez që ishte angazhuar për rinovimin e stacionit. Ai theksoi rëndësinë e përcaktimit të përgjegjësive, duke u shprehur se do të hetohet kush kishte marrë vendimet dhe kush kishte kontrolluar cilësinë e punimeve.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçië, shprehu trishtimin për humbjen e jetëve dhe e quajti situatën një nga më tragjiket për vendin. Ai theksoi se për Novi Sadin dhe të gjithë Serbinë, e shtuna do të shpallet ditë zie, dhe premtoi se ata që janë përgjegjës do të nxirren para drejtësisë.
Përfaqësuesit e kompanive të përfshira deklaruan se pjesa e shembur nuk ishte në planin e rinovimeve dhe se do të bashkëpunojnë me hetimet për të zbardhur rrethanat e këtij incidenti tragjik.