
2 shqiptarë dhe një italian kanë rënë në prangat e policisë, pasi akuzohen për trafikim të lëndëve narkotike nga Shqipëria në drejtim të Italisë.
Gjatë një operacioni policor, autoritetet evidentuan 31 vjeçarin italian, i cili doli nga garazhi i ndërtesës Lainate, ku pasi arriti në Varese, ndaloi në Piazzale Kennedy, në zonën e përdorur për parkimin e autobusëve të ardhur nga Shqipëria.
Sipas oficerëve, aty italiani është takuar me dy shtetasit shqiptarë, përkatësisht të moshës 39 dhe 42 vjeç, ku këta të fundit i kanë dorëzuar 2 zarfe të mëdhenj të bardhë, i cili i vendosi në ndarjen e rrotave rezervë të bagazhit të makinës së tij dhe më pas është larguar.
Policët kanë dyshuar se kanë të bëjnë me një trafikim të lëndëve narkotike dhe kanë vijuar ndjekjen e 31 vjeçarit italian deri në Cerro Maggiore, teksa ka ndaluar në semafor të kuq. Sipas raportimeve të mediave vendase, autoritetet policore kanë ndaluar 31 vjeçarin, ndërsa i është nënshtruar kontrolleve.
Gjatë kontrollit, është zbuluar se brenda makinës së tij, në ndarjen e rrotave rezervë, kishte një fund të rremë ku oficerët gjetën 20 blloqe që përmbanin afërsisht 23 kg kokainë dhe 6 blloqe heroinë me peshë afërsisht 3.5 kg.
Sipas asaj që u rikonstruktua nga agjentët e Komisariatit të Venecias Garibaldi, lënda narkotike e sekuestruar ishte e destinuar për tregun milanez në zonat Loreto, Crescenzago, Lambrate dhe Forlanini, siç rezultoi nga hetimet për lëvizjet e shtetasit italian dhe nga indikacionet gjetur në celularin e tij.
31-vjeçari është dërguar në burgun Busto Arsizio (VA), ndërsa dy shtetasit shqiptarë në burgun e Vareses.