Hapësire reklamuese

Aktualitet

Qytetari rrëfen historinë e jetës te "E diela": Si shefi Ervin Hodaj shpëtoi 4 jetë

Shkruar nga Newsbomb
Qytetari rrëfen historinë e jetës te "E diela": Si

“Ka Një Mesazh Për Ty” nisi ndryshe këtë të diel pasi erdhi fillimisht i ftuari dhe jo dërguesi. Drejtori i Hetimeve të Krimeve të Rënda, Ervin Hodaj erdhi në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan me ftesën e Ramazanit, i cili dikur është gjendur në një situatë të vështirë.

Hodaj u vendos në anën tjetër të ekranit për të parë rrëfimin e Ramazanit, i cili nuk e di se i ftuari tashmë ka mbërritur. Ramazani jeton prej 27 vitesh në Itali, por para disa vitesh një incident pa asnjë dëm ndaj dikujt i shkaktoi një njollë në jetën e tij

Ramazan: Ka qenë 2016 mos gabofsha. U ktheva në Shqipëri dhe ne si traditë kemi, gjyshi, babai im dhe unë, armën e gjahut. Hapëm shtëpinë si gjithë të tjerët, gruaja filloi të pastronte. Unë mora armën, sipër shtëpisë kisha një bahçe të vogël me ullinj. E fshiva, e rregullova, i bëra hyzmetin dhe thashë ta provojmë njëherë.

Ardit Gjebrea: Edhe?

Ramazan: Pam unë, ai kishte qenë te rrotullimi, inspektori i policisë.

Ardit Gjebrea: Ti bam armës, bam policia tek ty.

Ramazan: U çudita dhe unë, fërkova sytë, thashë a është njeri ky apo jo? Dhe e njihja, hë more zotëri i thashë se s’po ia nxjerr emrin, filloi duke u sjellë kështu me mua. I thashë po çfarë ke more burrë? Direkt, qendroren, 129 a nuk e di, Tirana, u bë nami në Kavajë.

Ardit Gjebrea: Po çfarë ndodhi?

Ramazan: Më mori përpara, më tha “ec me mua në polici”. Ika, shkova te porta. Te porta i thashë t’i flas gruas, “jo”, më tha, “s’ke punë me gruan”, si more s’kam punë more burrë?  Aty erdhi furgoni, s’i kapi as 5 minutat, 5 orë në polici.

Asokohe kishte hyrë në fuqi moratoriumi i gjuetisë, i cili ndalonte gjuetinë. Por ajo çfarë do të vinte më pas, do të ishte e rëndë dhe e padrejtë për Ramazanin.

Ramazan: Vjen Ministria e Mjedisit nga Tirana, problem i madh. Më thirrën në një zyrë tjetër, “firmos këtu”, nuk e firmos thosha dhe nuk firmos asgjë. Një miku im erdhi aty e tha “xhaxhi, do firmosësh se ata janë të Ministrisë së Mjedisit, të kanë gjobitur 1 milionë lekë gjobë, ke shkelur ligjet”. Dakord thashë,  po qe ashtu, firmosa, 1 milionë lekë gjobë. Dola pastaj.

Ardit Gjebrea: Armën ta mbajtën.

Ramazan: Armën dhe lejen e morën, të dyja. Përfundimisht pas 2 muajsh më vjen një letër, më thërret komisariati i Kavajës, “Ramazan, hajde këtu duhet të firmosësh diçka”. Edhe më lexoi vetëm për këtë, arma është e jotja por leja të është hequr përjetë. Thashë po si ka mundësi? Edhe nuk më tha “lexo më pas, faqen nga brenda”.

Ardit Gjebrea: Po çfarë ishte ajo?

Ramazan: Për momentin mua më tha Zoti, Zoti më tha mos e firmos, i thashë unë nuk jam dakord. Shkruaj “nuk jam dakord me vendimin” tha dhe kështu bëra. Mora letrën, ika në shtëpi dhe u shtriva te soba se isha me gjithë grua. Për qejf unë, e lexova komplet, hap sytë unë,  Ardit… më falni… Lexova, Ramazan Daka person me precedent kriminal dhe trafikant i qenieve njerëzore. Unë.

“Më nxinë figurën”/Padrejtësia po e shtynte në vetëgjyqësi: Personi që ka ardhur ka shpëtuar 4 jetë

Viti 2016 shënoi një ngjarje të tmerrshme në jetën e Ramazanit. Ndërsa ndodhej një ditë në shtëpinë e tij Kavajë pasi është emigrant prej 27 vitesh në Itali, vendosi të provonte armën e gjahut. Një inspektor i policisë e arrestoi menjëherë  dhe prej aty ai u gjobit, më pas iu hoq leja e armës dhe në fund, erdhi një shkresë ku e cilësonte si person me precedent kriminal dhe trafikant i qenieve njerëzore.

Këtë ngjarje që Ramazani e ndau mes lotësh në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, po e dëgjon edhe drejtori  i Hetimeve të Krimeve të Rënda, Ervin Hodaj. Ai është ftuar nga Ramazani, por ai nuk e di se Hodaj ka mbërritur. Në këtë pikë të rrëfimit, Ramazani është ndalur në dëmin psikologjik që i ka shkaktuar ky gabim atij dhe familjes sepse po i shtynte drejt vetëgjyqësisë.

Ramazan: Çunat e kanë marrë vesh rastësisht pas 2 vitesh dhe vjen në shtëpi djali, “babi hajde këtu,  pse s’ke treguar?” I them, i zgjidh vetë babi punët e mia, ti nuk ke punë, shiko familjen tënde, punët e tua, mos shkatërro jetën tënde se u hallakat keq ky, “pse s’ke thënë gjë, pse s’ke bërë gjë, pse të bëjnë kështu”…çfarë halli ke i thashë, e zgjidh unë problemin, unë nuk jam njeri i ngelur kështu që po më deshe mua… “jo ç’ke ti”, jo, do zësh kokën e fëmijëve pastaj, thuaj për kokë të fëmijëve që nuk bëj asgjë, “për kokë të fëmijëve”, më tha, “nuk bëj asgjë”. Dhe këtu e mbylla.

Ardit Gjebrea: Pra ti kishe frikën e vetëgjyqësisë.

Ramazan: Ardit, po e përsëris prapë për këtë person që ka ardhur, ky jo se më ka shpëtuar mua, ky ka shpëtuar tri jetë robsh dhe jetën time 4, po. Mos të më ishte zgjidhur mua ky problem…

Ardit Gjebrea: Çfarë do bëje?

Ramazan: Do ta bëja këtë që the ti, isha i vendosur, isha i shkatërruar, jo i vendosur se unë kam qenë shumë i fortë. Që kur më ka ndodhur kjo, nuk mund të flas dy fjalë. Ki parasysh, para dy vitesh më ra infarkt në Itali. Nga ky shqetësim se shkoja e vija, vinin çunat prapa “o babi mos ik” se ishte kjo more Ardit, si ky Ramazani person me precedent kriminal dhe trafikant i qenieve njerëzore?

Ardit Gjebrea: U përhap lajmi për ty në lagje?

Ramazan: Jo në lagje, se unë dilja çdo ditë te sheshi në Kavajë, çdo ditë që dilja aty, disa si me ledha, disa si përsëritje, “o kriminel, o i persekutuar, o kështu”, ma harruan emrin! Edhe sot e njëjta punë. S’mund të  dilja e të hyja në kafe, “ou shikoje këtë, ia kanë nxirë të shkretit, ia kanë nxirë figurën”.

“Më kërkoi 30 ditë”/ ‘Shpëtimtari’ e çliroi nga padrejtësia, Ramazani: E shoh në ëndërr, dua veç…

Një incident në 2016-ën e bëri Ramazanin të vuante shpirtërisht për vitet që do të pasonin. Vetëm një provë me armën e tij të gjahut do të sillte ngjarjen e paimagjinueshme në jetën e tij: një akuzë të padrejtë si person me precedent kriminal dhe trafikant të qenieve njerëzore.

Prej atij momenti,  Ramazani dhe familja e tij nuk gjetën qetësi.  Ai tregoi në “Ka Një Mesazh Për Ty” rendjen nëpër institucione në përpjekje për të pastruar emrin, shqetësimin dhe frikën se mos arrinte në vetëgjyqësi.

Gjatë kohës që përpiqej të takonte dikë për të zgjidhur problemin, shkoi në Drejtorinë e Policisë së Qarkut në Tiranë. Aty i rekomanduan që të takonte Ervin Hodajn, i cili asokohe ndodhej në krye dhe Ramazani e mban mend fare mirë atë takim të cilin e ndan me rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan.

Në dokumentet e komisariatit, Ramazani figuronte si kriminel, por në gjykatë nuk i rezultonte asnjë çështje. Ky fakt habiti Hodajn i cili i kërkoi vetëm një afat.

Ramazan: Më priti jashtë mase. I dhashë dokumentet përpara tavolinës, më tha mua “qenke i rrezikshëm”.

Ardit Gjebrea: Me atë që lexonte, normale.

Ramazan: Po zotëri i thashë unë, ju i kërkoni, s’mund t’i kapni, unë vij vetë, i thashë unë. I futi një buzëqeshje, “ashtu?” më tha mua. Po ju a keni biruca poshtë? “Sa të duash ke”, tha, “mos ki zor se po pate për atje, atje do të të çojmë, poshtë”. Në rregull i thashë jam dakord të shkoj, më mirë atje se sa jashtë.

Ardit Gjebrea: I dhe të gjitha dokumentet.

Ramazan: Dokumentet e Kavajës. Kur pa atë certifikatën e përgjithshme, Ardit ishte përballë meje ajo tavolina e madhe, i ra tavolinës “çfarë bëhet këtu? Ti qenke i padënuar asnjëherë!” Që në kohën e Ismail Qemalit i thashë. Tha “Ramazan, do më japësh një muaj kohë, 30 ditë”. Nuk i kapi 30 ditë dhe komisariati i Kavajës më ka marrë në telefon “hajde merr lejen, hajde merr armën”.

Ardit Gjebrea: Po mirë, ti e takove më pas Ervinin?

Ramazan: Kam shkuar pastaj dhe s’e gjeta më.

Ardit Gjebrea: Po ku është Ervini sot? Mos është jashtë shtetit?

Ramazan: Nuk e di. Ai person më ka dalë në ëndërr mua.

Ardit Gjebrea: Të ka dalë në ëndërr?

Ramazan: Në ëndërr Ardit.

Ardit Gjebrea: Kur?

Ramazan: Nja dy herë po, para një viti, para 5-6 muajsh. Më dilte në ëndërr Ardit duke qeshur përpara drejtorisë së Tiranës dhe unë prandaj vendosa që këtë person kisha qejf ta përqafoja njëherë sepse thashë edhe njëherë, dikush mund të thotë “ore i ka dhënë ndonjë lek”. Unë s’e kam njohur fare, as nuk e di nga është, por kjo botë paska edhe njerëz të mirë. Le ta dëgjojë i gjithë publiku, prandaj kam ardhur t’ia jap mesazhin publikisht që ky është njeriu i duhur për këtë vend.

Takon pas 7 vitesh heroin e tij, Ramazani gjunjëzohet: Kam bërë vetëm detyrën

Pas përfundimit të rrëfimit të tij në “Ka Një Mesazh Për Ty”, Ramazani mëson se gjatë gjithë kësaj kohe i ftuari ka qëndruar në anën tjetër të studios së “E Diela Shqiptare” në Tv Klan. Ervin Hodaj ishte asokohe drejtor i Policisë së Qarkut të Tiranës dhe e ndihmoi Ramazanin që të hiqte nga emri i tij akuzën e rëndë dhe të padrejtë si person me precedent kriminal dhe trafikant i qenieve njerëzore.

Kjo ndodhi pasi në vitin 2016 ai thjesht shtiu me armën e tij të gjahut, por ngjarja mori përmasa të tilla sa shkaktoi një dëm të madh psikologjik te Ramazani.

Sapo ky i fundit sheh Hodajn, gjunjëzohet dhe e falenderon e bekon për ndihmën ndaj tij. “Të ruajttë Zoti! Faleminderit shumë! Të ruajttë Zoti me fëmijë e familje!” Hodaj qëndron tepër modest dhe i shpjegon se ka bërë vetëm detyrën.

Ervin Hodaj: Ardit, në fakt jam pa fjalë… nuk e mendoja që do ishte histori kaq… zotëria e ka përjetuar kaq shumë, por unë dua t’i them vetëm një gjë, që unë kam bërë vetëm detyrën, s’kam bërë as më shumë, as më pak. Mua duhet të më falë Ramazani se unë nuk e mbaj mend, nuk e njoh. Ramazani po të më dilte para sigurisht nuk do e mbaja dot mend, as ai s’më mbajti dot mend, thjesht fiksoi që isha thinjur.

Ramazan: Jo, jo paske ndryshuar ke qenë djalë i ri.

Ervin Hodaj: Edhe mosha bën të vetën.

Ramazan: Ke ndryshuar.

Ervin Hodaj: Kam bërë veçse detyrën. Në fakt ka vite që policia fokusin e ka pasur te komunikimi me qytetarët, te shërbimi ndaj qytetarëve. Sigurisht kanë ndryshuar shumë gjëra tani, kanë ndryshuar tej mase. Janë thyer ato muret në komisariate ku nuk hynte dot një qytetar të merrte një shërbim, tani shkojnë njësoj si në të gjitha institucionet e tjera për të marrë një shërbim, mbi 100 shërbime që i bën policia dhe një nga këto shërbimet që kërkonte dhe Ramazani po merren nga aty. Sigurisht, ai ka pasur një rast specifik me aq sa e tregoi, edhe pak me emocione dhe goxha të përjetuar dhe kërkon ato hallkat e veta për t’u verifikuar dhe sqaruar. Sigurisht që ai e ka bërë një shkelje duke shtënë me atë armë, pavarësisht se nuk ka qenë për gjueti dhe të gjitha këto rrethana sigurisht që i kemi marrë parasysh dhe i është kthyer me të drejtë arma e gjahut.

Ardit Gjebrea: Ndërkohë është kjo pjesa tjetër që e ka vuajtur edhe më shumë, i cilësuar si person që merrej me trafikim qeniesh njerëzore dhe kjo ka qenë pjesa që…

Ervin Hodaj: Unë këtë pjesë nuk kam si ta mbaj mend, por përderisa Ramazani ka marrë armën, çdo gjë është pastruar dhe çdo gjë është verifikuar, nuk ka asgjë, kështu që të jetë i qetë.Sot, Hodaj qëndron në krye të Hetimeve të Krimeve të Rënda.

/tvklan.al

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese