
Gjykata e Posaçme po zhvillon sot seancën e njoftimit të masave të sigurisë të vendosura për 15 të akuzuarit për inceneratorin e Tiranës, ku në mesin e tyre përfshihen Alqi Bllako, Lefter Koka dhe i besuari i Erion Veliajt, Taulant Tusha.
Teksa brenda godinës po mbahet seanca, jashtë ambienteve të SPAK dhjetëra qytetarë dhe aktivistë janë mbledhur dhe kërkojnë arrestimin e kryebashkiakut, Erion Veliaj, lidhur me aferën e Inceneratorit të Tiranës. Një prej aktivistëve në një deklaratë për mediat i bëri thirrje hetuesve të Prokurorisë së Posaçme që të mos jenë selektivë, por të hetojnë edhe kryebashkiakun Veliaj, i cili sipas tyre është në krye të kësaj afere.
“Porositësi kryesor i kësaj afere të madhe korruptive është Erion Veliaj dhe ne nuk mund ta mbulojmë diellin me shoshë”, tha një prej aktivistëve.
Ndërkohë, të pranishëm në këtë protestë krah aktivistëve ishin edhe banorët e “5 Majit”, të cilët u shprehën se Erion Veliaj njëjtë si me Inceneratorin e Tiranës ka bërë dhe me banesat e tyre.
Prokuroria e Posaçme më herët doli me një njoftim zyrtar për hetimet për inceneratorin e Tiranës, ku firmosi 15 urdhër-arreste për politikanë dhe zyrtarë të lartë të shtetit, të cilët janë vënë në rresht për të ndihmuar biznesmenët Klodian Zoto e Mirel Mërtiri të fitonin koncesionin.
LEXO EDHE: SPAK: Ministri dhe drejtori i Veliaj bënë gati dokumentet për Zoton dhe Mërtirin
Referuar njoftimit zyrtar, u bë me dije se anëtarët e komisionit të dhënies së koncesionit, të përbërë nga shtetasit Valbona Ballgjini, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Sidita Temali, Etleva Kondi, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, në bashkëpunim me shtetasit Lefter Koka në cilësinë e Ministrit të Mjedisit, Alqi Bllako në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, Alba Thoma Drejtoreshë e Drejtorisë Juridike të Ministrisë së Mjedisit dhe shtetasi Bledar Karoli, Përgjegjës i Sektorit të Prokurimeve në Ministrinë e Mjedisit, kanë shkelur ligjin që koncesionin ta fitonin Zoto e Mërtiri.
Po ashtu, nga hetimet ka dalë se këta zyrtarë të lartë të shtetit kanë bërë gati dokumentet e tenderit që i duheshin dyshes së biznesmenëve, pasi i kishin njoftuar ata më parë se cilat ishin kriteret.
SPAK KA PRERË URDHËR-ARRESTE PËR:
Lefter Koka- arrest në burg
Alqi Bllako- arrest në burg
Pëllumb Abeshi- arrest në burg
Mirel Mërtiri- arrest në burg
Klodian Zoto- arrest në burg
Erjon Murataj- arrest në burg
Bledar Karoli- arrest në burg
Alba Thoma- arrest shtëpie
Valbona Ballgjini- arrest shtëpie
Taulant Tusha- arrest në burg
Namik Simixhiu- arrest në burg
Sidita Kopliku- arrest shtëpie
Jetmir Llapaj- arrest në burg
Sidita Tola- arrest shtëpie
Etleva Kondi- arrest shtëpie