Hapësire reklamuese

OpEd

Qeveria si “Love Story”!

Shkruar nga Newsbomb
Qeveria si “Love Story”!

Edi Oga, ekskluzivisht për newsbomb.al.

Kompozimi i qeverisë që mban emrin e tij për herë të tretë radhazi, ishte kryelajmi i javës që lamë pas dhe me shumë gjasa, dekretimi i saj nga Presidenti ynë “halleshumë”, do të jetë kryelajmi i kësaj jave. Si rregull, ai duhej të “errësohej” nga lajmi për tërheqjen/përjashtimin e Berishës nga Parlamenti, por kjo nuk ka asnjë shans të ndodhë!

Interesi popullor për kompozimin e qeverisë e re ishte i ngjashëm me interesin e po këtij publiku për fazën finale të një programi bukurie, ku përcaktohen shoqërueset e Miss-it. Më tepër akoma i ngjan vendimit të Sajmirit të “Love Story-t” se cilat nga vajzat do të vazhdojnë garën për t’u bërë “dashuria e tij me shikim të parë”!

Le ta pranojmë që ne si popull kemi pësuar “fashinon dhe karizmën” e tij dhe jemi shndërruar në një publik karagjoz deri në demencial, të paaftë të filtrojë ngjarjet dhe të priorizojë rëndësinë e tyre! Në këtë terren socio-kulturor kaq fertil, lulëzon e begaton pushteti absolut i Njëshit dhe i kukullave të tij, që i lejuar nga tagri, ai i emërton “ministra të qeverisë”!

Dikush me të drejtë mund të mendojë: ç’janë këta që “i bien” qeverisë së re që nuk ka punuar asnjë ditë?

Teorikisht kanë të drejtë, praktikisht jo.

1.            Qeveria nuk është aspak e re! Baza është ajo e vjetra, po ata lojtarë të lodhur, me disa ndryshime të vogla. Si ato zëvendësimet që bën trajneri në pjesën e dytë, me lojtarë rezervë që ne i njohim mirë dhe nuk është se presim që të shënojnë ndonjë gol!

2.            Qeveria e radhës erdhi vetëm me emra personash, pa ndonjë plan të detajuar qeverisjeje ose të paktën një listë prioritetesh me 3 pika për çdo dikaster.

3.            Në dy edicionet e para, ne kemi vënë re që në vendimet me rëndësi madhore për vendin, ministrat nuk kanë rolin që u takon, ato i merr ekskluzivisht kryeministri pa u konsultuar fare me autoritetin më të lartë të qeverisjes që quhet “këshilli i ministrave”!

4.            Sulmet “ordinere” që po i vijnë kësaj qeverie nga individë që kanë qenë pjesë e saj dhe nuk u përzgjodhën për të vazhduar, tregon shkallën e seriozitetit të personave që preferohen në këtë “entourage luksi” me emrin qeveri. Ditë e re, avazi i vjetër.

E megjithatë, unë jam i mendimit që qeverinë duhet ta lëmë të tregojë veten për një afat tre mujor. Gjashtë muaj po të dojë. Ore një vit të plotë po deshën!

Uroj me gjithë shpirt që qeveria “e re” të shkëlqejë dhe të rrëzojë “parashikimin” tim për pamundësinë e saj për të pasur “zë në kapitull” në qeverisjen e këtij vendi. Kompozimi i saj në mbi 70% me zonja, rekord botëror në këtë kategori, në pamje të parë është një veprim për t’u përshëndetur, por dyshoj fort se fsheh një paramendim aspak të këndshëm.

Unë nuk jam politolog, por si ndjekës i detyruar i përditshëm i politikës (aspak higjienike) shqiptare, vërej se në qeveri nuk ka “shpirtra të lirë”, njerëz që mund t’i rebelohen publikisht liderit qoftë edhe njëherë të vetme. Ata mund të jenë teknicienë të aftë, por pamundësia për të validuar versionin e tyre edhe kur janë të bindur që është i drejti dhe i duhuri, i shndërron në marioneta të dikujt që është i paaftë të qeverisë nëse nuk është “rehat”!

Një ministër i një qeverie “normale” në një vend me demokraci funksionale ka fuqi të vërteta ekzekutive dhe ushtron një pushtet joindiferent, ndërkohë që në vendin tonë këto fuqi dhe këtë pushtet e ka në dorë një njeri i vetëm. Urojmë që Zoti ta udhëzojë dhe t’i përdorë ato për punë të mira!

Sondazh

Poll