Hapësire reklamuese

Rajoni

Qeveria paralajmëron masa për produktet bazike: Duhet të mbrojmë konsumatorin

Shkruar nga Newsbomb
Qeveria paralajmëron masa për produktet bazike: Duhet të

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Kosovës, Rozeta Hajdari, ka paralajmëruar se janë duke shqyrtuar mundësinë për marrjen e masave ligjore për produktet bazike, në mënyrë që t’i mbrojë konsumatorët.

Çmimi tavan apo caktimi i marzhës janë dy mundësitë që janë duke u shqyrtuar.

Produktet esenciale për konsumatorin janë gruri, mielli, buka, vaji, vezët, pastat, qumështi, kripa, detergjenti e të tjera.

“Se cila masë do të vendoset për produktet bazike do të vendoset shumë shpejt, vetëm varet nga analiza e situatës”, ka thënë Hajdari në një konferencë për media, më 13 korrik.

Hajdari ka shprehur shqetësimin për ngritjen e çmimit të bukës në disa qytete të Kosovës, që sipas saj, po ndodh në kohën kur importi i çmimit të miellit dhe grurit është liruar për shtatë për qind në krahasim me muajin maj.

Ditëve të fundit në disa qytete të Kosovës, çmimi i bukës është shtrenjtuar nga 40 deri në 60 centë.

“Me këtë situatë, ne në vazhdim të analizës nga rrjeti i operatorëve të shitësve me pakicë, shohim që kemi një dallim tepër të lartë. Marzha tregtare e fitimit ka qenë nga 4 deri 19 për qind”, ka thënë ajo.

Edhe kryetari i Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, Bashkim Zejnullahu, ka kërkuar që të mos spekulohet me çmimet. Ai ka thënë se në tregun e Kosovës aktualisht ka sasi të mjaftueshme të grurit dhe miellit dhe nuk ka arsye për shqetësim dhe ngritje të çmimeve.

Në Kosovë ka filluar procesi i korrje shirjes. Ministrja Hajdari konsideron se nga korrjet-shirjet e grurit Kosova do të sigurojë deri në 70 për qind të kërkesave të qytetarëve me këtë produkt.

Qeveria e Kosovës muajin e kaluar ka marrë vendim për caktimin e çmimit tavan për derivate të naftës.

Kosova është përballur me rritje çmimesh të produkteve dhe shërbimeve nga fundi i vitit të kaluar, kryesisht për shkak të çrregullimeve në furnizime që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit.

Hov më të madh atyre u ka dhënë pushtimi rus i Ukrainës, i cili ka nisur në fund të shkurtit.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës(ASK), inflacioni në muajin qershor të këtij viti ka arritur 14.1 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Sipas çmimeve ditore për produktet bazë të publikuara më 12 korrik 2022 nga ASK-ja, një kilogram miell në treg aktualisht shitet për 0.79 euro, një litër vaj 2.93 euro, buka e zakonshme 0.50 euro, një litër qumësht 1.10 euro, kurse 30 kokrra vezë shiten për 3.90 euro.

Sipas ASK-së, në muajin qershor të vitit të kaluar një kilogram miell ka kushtuar 0.52 euro, një litër vaj 1.56 euro, një bukë e zakonshme 0.46 euro, një litër qumësht 0.91 euro, kurse 30 kokrra vezë kushtonin 1.92 euro./REL

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll