Qeveria merr vendimin, përforcohen rregullat për transportin publik. Këto janë ndryshimet e reja në bileta që duhet t'i dini

Publikuar tek: aktualitet, më 21:39 08-02-2017 Qeveria merr vendimin, përforcohen rregullat për transportin publik. Këto janë ndryshimet e reja në bileta që duhet t'i dini

Në mbledhjen e sotme të qeverisë shqiptare është marrë një vendim në lidhje me përcaktimin e rregullave për prodhimin, shpërndarjen dhe pajisjen e udhëtarëve me bileta transporti rrugor.

Qeveria miraton disa rregulla në lidhje me ndryshimet që do të pësojnë biletat si ato të shtypura dhe elektronike.

Ndryshimet lidhen me shënimin e saktë të çmimit, numrin e serisë, emrin e operatorit, datën dhe kohën e nisjes, pjesën e biletës për bagazhet.

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 21/2, të ligjit nr.8308, datë 18.3.1998, “Për transportet rrugore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës dhe ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

 V E N D O S I:

 I. RREGULLA TË PËRGJITHSHME

 1. Çdo udhëtar pajiset me biletë për udhëtimin e përshkruar, në përputhje me përcaktimet e ligjit nr.8308, datë 18.3.1998, “Për transportet rrugore”, të ndryshuar.

2. Pajisja e udhëtarëve me biletat e transportit është e detyrueshme për të gjitha llojet e shërbimit në transportin rrugor për të tretë, përjashtuar taksitë 4+1 dhe 8+1 vende, të cilat duhet të jenë të pajisura me taksimetër.

3. Biletat e transportit të udhëtarëve mund të jenë në format letër, me çmim të parashtypur ose elektronik, por, në çdo rast, përmbajnë të paktën të dhëna për:

a) gjatësinë e udhëtimit në km;

b) çmimin për km;

c) numrin e serisë;

ç) emrin e operatorit të transportit;

d) datën dhe kohën e nisjes;

dh) pjesën e biletës (dëshminë/etiketën) për bagazhin e udhëtarit.

4. Modeli i biletave të transportit rrugor të udhëtarëve për shërbimin qytetas, rrethqytetas e ndërqytetas, si dhe në transportin ndërkombëtar rrugor të udhëtarëve, si për biletat në format letër, me çmim të parashtypur edhe për biletat elektronike, është sipas standardit të përcaktuar me udhëzim të ministrit përgjegjës për transportin.

5. Këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore të secilës bashki, sipas kërkesës, për qëllime të identifikimit të linjave të transportit, në përputhje me modelin e miratuar, përcakton ngjyrën/at e biletave, kur ajo ndryshon sipas linjave.

6. Çmimi i biletave në format letër me çmim të parashtypur ose elektronik, i cili përmban edhe vlerën e TVSH-së për transportin qytetas/rrethqytetas, caktohet në përputhje me legjislacionin në fuqi për këtë qëllim, me vendim të këshillit të njësive të vetëqeverisjes vendore/marrëveshje ndërmjet bashkive.

7. Për udhëtarët, që përfitojnë lehtësi me ligje të veçanta, çmimi i biletave për transportin qytetas dhe rrethqytetas caktohet në përputhje me legjislacionin në fuqi për këtë qëllim, me vendim të këshillit të njësive të vetëqeverisjes vendore.

8. Në shërbimet e rastit/turistike të organizuara brenda vendit ose ndërkombëtare, si dhe në shërbimet e rregullta të specializuara, udhëtarët nuk pajisen me bileta, por agjencia e transportit i lëshon faturën tatimore organizatorit/shoqërisë përfitues/e të shërbimit. Në këto raste, drejtuesi i mjetit duhet të ketë gjatë udhëtimit listën e udhëtarëve dhe faturën tatimore, të lëshuar nga agjencia e transportit.

9. Shoqëritë rezidente shqiptare, të licencuara në transportin ndërkombëtar dhe të autorizuara për të operuar në linja të rregullta, detyrohen të pajisin me bileta udhëtimi të gjithë udhëtarët sipas itinerarit të udhëtimit, përkatësisht, vajtje, ardhje ose vajtje-ardhje.

10. Strukturat përkatëse tatimore ushtrojnë kontroll ndaj shoqërive rezidente shqiptare, të licencuara, për llojet e ndryshme të transporteve, për pajisjen me bileta të udhëtarëve ose faturë tatimore, vetëm apo në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për transportin dhe strukturat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në përputhje me kompetencat dhe detyrat e tyre funksionale.

 11. Agjencia e udhëtarëve për transportin ndërkombëtar rrugor, përpara kalimit të kufirit, harton dhe depoziton në pikën e kalimit kufitar, në tri kopje, listën e udhëtarëve, sipas formatit të përcaktuar bashkëlidhur këtij vendimi.

12. Një kopje e listës së udhëtarëve depozitohet në zyrën e policisë kufitare dhe tërhiqet rregullisht çdo muaj, pasi nënshkruhet nga punonjësi i policisë së kalimit kufitar, nga drejtoria rajonale tatimore, me autorizim të drejtorit të kësaj drejtorie. Një kopje e nënshkruar i kthehet shoqërisë transportuese, pasi është verifikuar dhe konfirmuar përputhshmëria e listës përkatëse me udhëtarët e transportuar nga shoqëria dhe një kopje mbahet nga punonjësi i policisë së kalimit kufitar.

 II. BILETAT NË FORMAT LETËR ME ÇMIM TË PARASHTYPUR

 1. Shtypja e biletave në format letër me çmim të parashtypur realizohet nga Shtypshkronja e Letrave me Vlerë, në përputhje me kriteret e përcaktuara në vendimin nr.1497, datë 19.11.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për shtypjen e letrave me vlerë”, të ndryshuar.

2. Tërheqja e biletave për transportin rrugor të udhëtarëve, për transportin qytetas, rrethqytetas, ndërqytetas dhe transportin ndërkombëtar rrugor, realizohet nga shoqëritë e licencuara për këto lloje transporti apo nga përfaqësuesi i agjencisë së transportit. Tërheqja e biletave kryhet pranë drejtorive rajonale tatimore, kundrejt kostos së prodhimit të tyre.

3. Në fund të çdo viti kalendarik, shoqëritë e transportit ose përfaqësuesi i agjencisë së transportit paraqesin pranë drejtorisë rajonale tatimore, ku janë regjistruar si subjekte tatimpaguese, parashikimet e tyre për sasinë e biletave, për vitin e ardhshëm fiskal. Në rastet e sasive shtesë, këto shoqëri dhe agjencitë në shërbim të tyre duhet të bëjnë kërkesa shtesë, të paktën tre muaj më parë.

4. Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, për çdo vit kalendarik, i jepet fondi i përcaktuar për përballimin e shpenzimeve të prodhimit të biletave të transportit rrugor, në zbatim të këtij vendimi. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në përputhje me formatin, ngjyrën e miratuar të biletave sipas pikës 4, të kreut I, të këtij vendimi, si dhe nevojat sipas porosive të shoqërive të transportit koordinon dhe menaxhon procesin e shtypjes së biletave me çmim të parashtypur të transportit rrugor të udhëtarëve, për transportin qytetas, rrethqytetas, ndërqytetas dhe transportin ndërkombëtar.

III. BILETAT NË FORMAT ELEKTRONIK

 1. Përveç rasteve kur udhëtarët pajisen me biletë me çmim të parashtypur sipas kreut II, të këtij vendimi, për shërbimin e transportit rrugor udhëtarët mund të pajisen me biletë elektronike.

2. Ministria përgjegjëse për transportin dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore administrojnë vetë ose me të tretë, të cilët janë subjekte të licencuara/të autorizuara/të kontraktuara në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi, biletat elektronike dhe sistemin e biletimit elektronik, përkatësisht në linjat e transportit ndërqytetas/ndërkombëtar të udhëtarëve dhe në linjat e transportit qytetas/rrethqytetas të udhëtarëve.

3. Modeli, përfshirë elementet e sigurisë së biletave elektronike dhe parametrat që duhet të përmbushin sistemet e biletimit elektronik që emetojnë këto bileta, duhet të jenë sipas standardit të përcaktuar me udhëzim të ministrit përgjegjës për transportin.

4. Procedurat për zgjedhjen e subjekteve të përmendura në pikën 2, të këtij kreu, subjekte publike ose private, kryhen nga ministria përgjegjëse për transportin ose njësia e vetëqeverisjes vendore, sipas fushës përkatëse të përgjegjësisë dhe në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi.

5. Subjekti i licencuar/i autorizuar/i kontraktuar për administrimin e sistemit të biletimit elektronik:

a) është përgjegjës për të planifikuar dhe menaxhuar kërkesat e biletave elektronike, sipas fushës së transportit që ka në kompetencë;

b) përballon shpenzimet për emetimin e biletave të transportit të udhëtarëve deri në momentin e shitjes së tyre te përdoruesit e shërbimit të transportit në linja;

c) shpërndan bileta elektronike sipas fushës përkatëse të transportit, në përputhje me kërkesat dhe kriteret e përcaktuara nga legjislacioni në fuqi.

 6. Njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe ministria përgjegjëse për transportin, të paktën 3 muaj përpara fillimit të aplikimit të biletës elektronike, duhet të njoftojnë Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, në mënyrë që të planifikojë dhe të rakordojë kërkesat për biletat me çmim të parashtypur.

7. Përveçse, kur për qëllime të transportit rrugor të udhëtarëve, përdoren biletat me çmim të parashtypur, të cilat prodhohen dhe shpërndahen nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, si në kreun II, të këtij vendimi, përdorimi i biletimit elektronik për qëllime tatimore i nënshtrohet dispozitave të legjislacionit tatimor në fuqi.

 IV. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

1. Për biletat e transportit rrugor të udhëtarëve me çmim të parashtypur do të vazhdojë të përdoret modeli aktual, deri në hyrjen në fuqi të udhëzimit të ministrit përgjegjës për transportin, në përputhje me nenin 21/2, të ligjit nr.8308, datë 18.3.1998, “Për transportet rrugore”, të ndryshuar.

2. Vendimi nr.643, datë 11.6.2009, i Këshillit të Ministrave, “Për prodhimin, shpërndarjen dhe pajisjen e udhëtarëve me bileta transporti rrugor”, të ndryshuar, dhe udhëzimet në zbatim të tij, shfuqizohen.

3. Ngarkohet ministria përgjegjëse për transportin për hartimin e udhëzimit për kriteret/rregullat e dhënies së licencës/autorizimit ose për kontraktimin e subjektit publik ose privat, që do të marrë të drejtën për prodhimin dhe shpërndarjen e biletave elektronike (sistemin e biletimit në tërësi).

4. Ngarkohen Ministria e Transportit, Ministria e Financave dhe Ministria e  Punëve të Brendshme, pikat e kalimit të kufirit dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

 Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

vendimi_1.png

 

 vendimi_2.png

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Kapet 21-vjeçari shqiptar me 30 kile drogë në makinë, po e transportonte jashtë kufirit
Përfundon raporti për lëkundjet në Zharrëz: Të ndalohet injektimi i ujit teknologjik »
Article Logic
Execution time: 0.026495933532715
array(1) { ["section"]=> string(128) "qeveria-merr-vendimin-perforcohen-rregullat-per-transportin-publik-keto-jane-ndryshimet-e-reja-ne-bileta-qe-duhet-t-i-dini-68145" }