Këshilli i Ministrave në mbledhje ka miratuar vendimin për disa ndryshime për dhënien e ndihmës financiare për foshnjet e porsalindura.
Në vendim thuhet se ndihmën e bebes do e marrin ata prindër që jetojnë në Shqipëri për të paktën 180 ditë kalendarike të vitit paraardhës, sipas të dhënave të sistemit TIMS.
Po ashtu bonusen e bebes do ta përfitojnë ata prindër që janë rezidentë të ligjshëm në Shqipëri, të cilëve u është dhënë statusi i refugjatit dhe të cilët vendosin t’i japin foshnjës shtetësi shqiptare.
E plotë:
I.Në vendimin nr.288, datë 10.4.2020, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
a) Pika 1, e kreut II, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Ndihmën e menjëhershme financiare (bonusi) sipas pikës 1, të kreut I, të këtij vendimi, e përfitojnë:
a) prindi/prindërit e foshnjës së porsalindur, shtetas shqiptarë, të cilët jetojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, të paktën 180 (njëqind e tetëdhjetë) ditë kalendarike të vitit paraardhës, sipas të dhënave të sistemit TIMS dhe të regjistruar sipas afateve ligjore të përcaktuara në ligjin për gjendjen civile.
b) prindi/prindërit me shtetësi tjetër, të cilët janë rezidentë të ligjshëm në Republikën e Shqipërisë, të cilëve nga shteti shqiptar u është dhënë statusi i refugjatit, i mbrojtjes plotësuese ose i azilkërkuesit dhe vendosin t’i japin foshnjës shtetësi shqiptare, sipas ligjit për shtetësinë shqiptare, dhe e regjistrojnë si shtetas shqiptar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile.”.
b) Në kreun III, pas pikës 26 shtohet pika 26/1, me këtë përmbajtje:
“26/1. Për përfitimin e ndihmës së menjëhershme financiare për foshnjat e porsalindura, në çdo rast, prindi/prindërit, krahas dokumentacionit të përcaktuar në këtë vendim, paraqesin edhe formularin e vetëdeklarimit, që jetojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, sipas aneksit nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.”.
c) Në fund të vendimit shtohet aneksi nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.