Qeveria e Holandës i ka ndarë 2.5 miliardë euro për ta mbështetur Ukrainën në vitin 2024, tha ministrja e Jashtme e këtij vendi, Hanke Bruins Slot, gjatë një vizite në Kiev të martën.
Lufta agresore e Rusisë në Ukrainë po futet në një dimër tjetër dhe kjo ka bërë që të rriten shqetësimet se përpjekjet e Kievit për ta zmbrapsur pushtimin rus, që nisi në shkurt 2022, mund të dështojnë pa mbështetjen e vazhdueshme të Perëndimit.
Bruins Slot i siguroi autoritetet ukrainase për mbështetjen e vazhdueshme nga vendi i saj.
“Mesazhi im për ministrin Kuleba ishte i njëjti si për të gjithë juve këtu. Mbështetja jonë për juve është e garantuar”, tha ajo pas një takimi me ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Dmytro Kuleba.
Ajo theksoi se vendi i saj e hapi një qendër stërvitore për avionët luftarakë F-16 në Rumani më 13 nëntor dhe se po punon me Shtetet e Bashkuara, Danimarkën dhe vende të tjera për t’u kujdesur që Ukraina do të mundë t’i përdorë sa më shpejt avionët luftarakë.
“Siguria juaj është siguria jonë”, shtoi ajo.
Temë e bisedës mes saj dhe Kulebas ishte edhe synimi i Ukrainës për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian.
“E ardhmja juaj është me ne”, nënvizoi ajo.
Kuleba tha se, derisa vëmendja e mediave është përqendruar në konfliktin në Lindjen e Mesme, “vëmendja politike” nuk ka është hequr nga Ukraina.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pritet t’iu drejtohet sonte përmes një videoje senatorëve amerikanë, për shkak të frikës se përpjekjet e Ukrainës për ta luftuar Rusinë mund të dështojnë nëse ajo nuk e ka mbështetjen e vazhdueshme nga Perëndimi.
Administrata Biden i ka kërkuar Kongresit ta miratojë kërkesën e Shtëpisë së Bardhë prej gati 106 miliardë dollarësh për t’i financuar luftërat në Ukrainë, Izrael dhe nevojat e tjera të sigurisë.//Marre nga REL/