Uran Ferizi do të jetë ambasadori i ri i Shqipërisë në Britaninë e Madhe. Një emigrant ilegal që mbërriti në ishull kur ishte 17 vjeç vetëm me rrobat e trupit, sot ka titullin "Doktor shkencash" dhe do të jetë diplomati që do përfaqësojë vendin tonë në Londër.
Ai ka një histori jete e denjë të denjë për një film hollivudi, mes jetesës si adoleshent në Shqipëri, udhëtimin me varkë në një natë të trazuar drejt brigjeve italiane dhe peripecitë për të mbërritur në vendin ishullor.
Shkruesi i fjalimeve të Home Office në Britaninë e Madhe, Alasdair Palmer ka pasur fatin ta takojë atë nga afër dhe sjell një rrëfim me plotë të panjohura për shqiptarët.
Historia e jetës së shqiptarit Uran Ferizi, nga Alasdair Palmer, shkrues i fjalimeve në Home Office:
Kandidati i ardhshëm si ambasador i Shqipërisë në Londër është Uran Ferizi. Ky është një emërim i jashtëzakonshëm, sidomos për faktin se Dr. Ferizi njohu Britaninë kur arriti si imigrant ilegal në vitin 1998. Ishte 17 vjeç, dhe nuk kishte asgjë përveç rrobave që kishte mbi vete.
Unë për herë të parë njoha Uran Ferizin më shumë se një dekadë më parë, dhe atëherë mësova për historinë e tij. Më tregoi se ishte i vendosur të vinte në Britani që në moshën 15 vjeçare. Vendosi të studiojë në Universitetin e Oxfordit – pjesërisht sepse babai i tij e kishte përmendur arsimimin në Oxford si diçka që djali i tij nuk mund ta arrinte në asnjë mënyrë. Ky fakt e frymëzoi Uranin e ri me një dëshirë të fuqishme për të provuar se babai i tij e kishte gabim. Ndjeu se nuk kishte të ardhme për të në Shqipëri. Prindërit e tij kishin humbur shumicën e kursimeve në skemat piramidale që falimentuan miliona shqiptarë.
Me ndihmën e familjes, adoleshenti Uran Ferizi mblodhi 300 marka gjermane që i nevojiteshin për të “blerë” një vend në një gomone nga Shqipëria për në Itali. Gomonia mbante vetëm 7 persona, por në të hipën 30. Ishte koha kur policia italiane patrullonte Adriatikun. Për t’i shmangur ata, trafikantët zgjodhën një rrugë më të gjatë, nga 30 minuta në disa orë. Deti natën ishte aq i rrezikshëm. Një tjetër gomone nisej në të njëjtën kohë e nga i njëjti vend. Dhe kjo gomone e dytë u mbyt diku mes Shqipërisë dhe Italisë. Të gjithë humbën në det. Urani nuk e dinte këtë gjë ndërkohë. E kuptoi vetëm kur telefonoi në shtëpi dhe nëna e tij mendonte se ai kish vdekur, duke dyshuar se ishte në gomonen që u mbyt. Lajmet në Shqipëri ishin plot me këtë fatkeqësi.
200 metrat e fundit pa mbërritur në brigjet italiane iu desh të notonte me rrobat e veta. Ekuipazhi i urdhëroi të gjithë të hidheshin nga gomonia kur ishin ende në det. Kur doli nga uji, eci thuajse 6 orë për të mbërritur në Brindizi. Trafikantët i kishin thënë se aty mund të merrte një taksi për në Milano. I dha 150 markat e fundit gjermane shoferit të taksisë. Urani ishte kaq i lodhur sa e kish zënë gjumi në taksi dhe u zgjua vetëm kur shoferi i tha se kishin mbërritur në Milano. Nuk e kishte kuptuar akoma derisa arriti në stacionin e trenit dhe aty mori vesh që ishte ende në Brindizi.
I uritur, kishte ftohtë, rrobat e tij pothuajse të thata, dhe tani pa para, vendimi racional mund të ishte që ta linte mënjanë idenë për të shkuar në Oxford. Mori një tren drejt Milanos. Detyra e tij e parë ishte si të shmangte mbledhësit e biletave. Zuri vend në vagon përballë një zonje italiane që po ndjente mëshirë kur e shihte duke u dridhur në stacion. I tregoi për udhëtimin e fundit dhe sesi ishte mashtruar nga taksixhiu që i kishte marrë gjithë paratë e mbetura. Kur erdhi kontrollori, zonja pagoi edhe biletën e tij.
Në Milano, Uran fshehtas u fut në një tren që shkonte për në Antëerpen. Aty kishte një kushëri dhe mund të qëndronte ndërsa mendonte sesi të kalonte kanalin. Sërish problemi i tij mbetej si të shmangej kontrollori i biletës. Këtë herë, udhëtarët e tjerë ishin një grup gazetarësh. Filloi të bisedonte me ta për emigracionin. E këta të fundit e ndihmuan sërish të bënte udhëtimin me tren pa paguar.
Sapo mbërriti në Antwerpen, qëndroi te kushëriri për tre javë. Zbuloi vendin në Ostend ku parkonin kamionët që shkonin drejt Britanisë gjatë natës dhe vëzhgoi sesi të hynte në to pa tërhequr vëmendjen e shoferit. Herën e parë që u ngjit në kamion, u diktua nga shoferi që e nxorri menjëherë jashtë. Herën e dytë, qeni që përdorej nga policia lokale e gjeti. Policia e shoqëroi në stacionin më të afërt, e urdhëroi të merrte trenin e ardhshëm për në Bruksel, e pastaj u larguan. Urani u ul në një vagon bosh. Për herë të parë ndjeu se ëndrra e tij për të shkuar në Oxford ishte mbyllur. I lodhur, i depresuar dhe i uritur, ai mendoi se sa shpesh babai i tij i kishte thënë se ai kurrë nuk do të shkonte në Oxford. Ky mendim ishte mjaftueshëm për ta motivuar që të provonte sërisht. Zbriti nga treni dhe shkoi te radha e kamionëve që prisnin të kontrolloheshin nga doganat dhe policia.
Shtrihet nën një kamion që e dinte se po shkonte për në Dover dhe gjeti një mënyrë për t’u mbajtur pranë karriges. Dëgjoi fillimin e kërkimeve përsëri: policia ishte kthyer me qentë që lëviznin me erë. Mbylli sytë dhe priti për të paimagjinueshmen. Por e paimagjinueshmja nuk ndodhi. Kësaj radhe, qeni nuk e vuri re dhe policia kaloi pa ndaluar. Kamioni u ngrit në rampë dhe shkoi në traget.
Individi që në fillim të vitit 2024 do të paraqesë referencat e tij tek Mbreti Charles III doli vërtet nga nën kamioni i ndaluar. Ai ishte në fund të fundit në rrugën e tij drejt Britanisë.
Pas mbërritjes në Dover, Uran kontaktoi këshillin lokal. Meqë ende nuk ishte 18 vjeç, ai ishte i mitur dhe shërbimet sociale duhej të kujdeseshin për të. Iu dha 20 paund dhe një vend për të qëndruar. Por ai dëshironte të shkonte në Oxford. Mori një tren për në Londër. Atje, kontaktonte shërbimet sociale, të cilat i gjetën një dhomë që e ndante me një emigrant tjetër ilegal.
Me të mbërritur në Angli, gjëja e parë që duhet të bënte ishte gjetja e një pune. Pas 4 ditë ecjeje në Londër dhe ndalesës në cdo vend që kishte shënime për punë, zuri një për larje pjatash në një restorant grek në Islington. Filloi në mbrëmje të ndiqte klasat falas për të përmirësuar anglishten fillimisht e mandej për të marrë nivelet A, që i duheshin nëse do të shkonte në Oxford. Takoi edhe vajzën që do të bëhej gruaja e tij. Edhe pse e donte – ai e përmend shpesh si e bukur dhe e zgjuar – martesa u shkatërrua për shkak të cështjes së fëmijëve dhe Oxfordit. Ai donte fëmijë, ajo nuk donte. Ai donte të shkonte në Oxford, ajo i tha se duhet të zgjidhte mes saj dhe Oxfordit. Ai zgjodhi Oxfordin dhe ata u divorcuan.
Urani kaloi nivelet A në Matematikë dhe Fizikë me notën A. Aplikoi në Kolegjin e Universitetit, Oxford. U thirr për një intervistë dhe mori testin e matematikës së kolegjit. I gëzuar sa ska më, iu ofrua një vend për të studiuar inxhinieri. Por ishte ende një emigrant ilegal. Nuk mund të fillonte derisa statusi i tij të ishte i rregullt. Shkoi në Lunar House në Croydon, qendrën e Zyresë së Brendshme për viza dhe emigracion dhe u shoqërua tek një zyrtar i cili i shpjegoi se mund ta dërgonte jashtë vendit. Urani i tregoi zyrtarit letrën nga Oxfordi. I tha zyrtarit se kishte një zgjedhje: mund të shkatërronte të ardhmen e shkëlqyer të një të riu duke e dëbuar, ose mund t'i japë atij mundësinë të shkojë në Oxford dhe të bëjë diçka të dobishme me jetën e tij.
Zyrtari i tha të priste jashtë që të konsultohej me kolegët e vet. Pas një kohe që u duk pafundësi, Uran Ferizi u shtang. Zyrtari i dha një copë letër. Në kokë të saj ishte shënuar: Leje e përhershme për të qëndruar.
Doktor Ferizi as sot nuk e di si u mor vendimi apo pse zyrtarët e Zyrës së Brendshme vendosën ta lejonin të qëndronte në Britani. Sipas aplikimit strikt të rregullave, ai duhet të ishte dëbuar, dhe tani, në të njëjtat rrethana, një emigrant ilegal, pa dokumente, sic ishte ai, sigurisht që do dëbohej.
Më vonë, Urani aplikoi për shtetësinë britanike. Për të kryer detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Londër, atij i duhet të heqë dorë nga shtetësia britanike, sic e kërkon statuti diplomatik. Ishte një vendim shumë i dhimbshëm. Të qenurit britanik ishte e shenjtë për të: Detyra e mirënjohjes që ndjen për këtë vend është e madhe. Por është siguruar se ai mund të riaplikojë sapo të përfundojë mandati si Ambasador i Shqipërisë.
Po pse zgjodhi që të jetë ambasador i Shqipërisë? Pas Oksfordit, Dr.Ferizi shërbeu si bankier për një periudhë të shkurtër, para se të përfundonte një doktoraturë në modelimin mikrostrukturor të trurit në UCL. Pastaj punoi në shkollat e mjeksisë në NYU dhe Standford. Hulumtimet e tij kontribuojnë në përparime në diagnozat e sëmundjeve si skleroza multiple dhe Parkinsoni, cka do të ishte e dobishme për njerëzit në gjithë botën.
Këto janë arritje të jashtëzakonshme, por nuk janë kualifikime për të qenë ambasador në Londër. Megjithatë, ato tregojnë për inteligjencën e fortë të Dr.Ferizit, që ëshë një kualifikim absolut, - ashtu sikurse njohja e shkëlqyer e gjuhës angleze, që e flet më mirë edhe se vetë anglezët. Përpos kësaj, lufta e tij e suksesshme për të arritur në Britani dhe Oxford dëshmon për vullnetin dhe durimin e tij të jashtëzakonshëm, dy cilësi të rëndësishme për suksesin në diplomaci e politikë.
Kur Rishi Sunak të takojë ambasadorin e ardhshëm të Shqipërisë në Londër, do të përballet me një njeri që di nga brenda politikën e emigracionit të shqiptarëve në Britani. Nëse ka zgjidhje për këtë problem, askush nuk është më i aftë për ta gjetur sesa Uran Ferizi.
//Marrë nga Spectator.co.uk, përshtati në gjuhën shqipe Newsbomb.al
[caption id="attachment_770582" align="alignnone" width="742"] Ambasadori shqiptar ne Angli, Uran Ferizi[/caption]