Gazetarët kanë insistuar këtë të mërkurë që të marrin një reagim nga kryeministri Edi Rama për koncesionin e sterilizimit, ku me urdhër të SPAK është prangosur ish-zv.ministri i Shëndetësisë dhe biznesmeni që fitoi tenderin.
Pasi Rama refuzoi herën e parë dhe herën e dytë, një gazetare e pyeti për herë të tretë.
Kjo ka nervozuar kryeministrin, i cili menjëherë e ka ndërprerë pyetjen e saj dhe ka kërkuar etikë, duke theksuar se ai nuk do të jepte asnjë përgjigje për koncesionin e sterilizimit pasi sot ishte në konferencë vetëm për zhvillimet pozitive të kërkimeve për naftë në Shpirag.
"Më falni tani, se ka dhe një etikë. Ju tani bëni sikur s'kuptoni, apo çfarë bëni?! Ju thashë që në fillim se kjo konferencë nuk është për asgjë tjetër, por për këtë zbulim të rëndësishëm, historik për Shqipërinë. Jemi këtu që me ndihmën tuaj dhe pyetjet tuaja, njerëzit të mësojnë sa më shumë nga kjo gjë. Këtë mund ta bëjë një parti politike që të marrë mikrofonin dhe të fillojë...
Unë nuk i shmangem asnjë pyetje, dhe deri tani nuk kam dëgjuar asnjë pyetje të re, të gjitha janë pyetje që u jam përgjigjur 1,000 herë. Po ju them dhe një herë, për pyetjen që keni drejtohuni zyrës së komunikimit siç bëni gjithmonë. S'ka asnjë problem.
Drejtohuni zyrës së komunikimit dhe do ju japim përgjigje. Sot dua që të fokusohemi te kjo gjë. Sot. Kur të kemi një konferencë tjetër shtypi mund të flasim për të gjitha, siç gjithmonë nuk i jam shmangur asnjë pyetje. Prandaj ju lutem shumë pak etikë.
Pak minimum etikë. Se kjo është tashi sikur bëjmë miting këtu. Merr mikrofonin, fillon prapë, muhabet kot. Nuk i jap përgjigje kësaj pyetje sepse nuk jemi këtu për këtë", u shpreh Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.
*Shikoni videon, momenti në minutën 56.00
// Newsbomb.al