
Me ftesë të kryeministres Giorgia Meloni, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ishte i ftuar në ditët e politikës, kulturës, debatit në 'Atreju 2023' që mbahet në Romë. Ky aktivitet zgjat 4 ditë nga 14 dhjetori në 17 dhjetor.
I pyetur nga gazetarët për lajmet mbi situatën kaotike me zjarr dhe dhunën në Kuvend nga opozita, kryeministri Edi Rama përsëri dha të njëjtën përgjigje si në çdo pjesëmarrje jashtë vendit.
Kreu i qeverisë refuzoi të komentonte dhe tha se kur del jashtë vendit, nuk flet lart e poshtë për problemet politike të vendit të vetë.
Ai shtoi se nuk është etike të flasësh për problemet e brendshme politike në një gjuhë të huaj, por të gjithë duhet të mbrojnë vendin e tyre, pavarësisht gjendjes ku ndodhen, qoftë dhe kundërshtarët politikë.
“Unë kam një parim që kur jam jashtë; nuk flas kurrë për problemet e politikes së brendshme shqiptare, së nuk është etike. Jashtë kufijve të vendit tënd, të gjithë duhet të mbrojmë vendin. Duhet të mbrohen edhe ata që ndoshta mund të mos jenë shumë në formë. Nuk do të flas për këtë”, - tha Rama kur u pyet për situatën politike në Shqipëri.