Hapësire reklamuese

Aktualitet

Puthja e Sinanit

Shkruar nga Newsbomb
Puthja e Sinanit

Nga Ben Blushi

Një dimër më parë, në një ditë me shi, shkova në Shëngjin për të fotografuar. Frynte shumë erë dhe pasi kisha fotografuar me dhjetëra afganë të cilët jetojnë në Shëngjin, si në një stacion treni, po ecja në shëtitore, kur dielli që sapo kishte dalë nga një re, filloi të ngrohte.

Para se dielli të fshihej sërish, pashë një cift që po puthej në buzë. Nga fytyrat dukej që nuk ishin të rinj, ndërsa nga e puthura dukej që nuk ishin të vjetër. Kishin ende epsh dhe kjo më habiti, sic i ndodh cdo njeriu që vjen nga një qytet i madh me mendimin se sexi dhe dashuria i kanë braktisur me kohë qytetet e vogla. Puthja e tyre ishte shumë e fortë dhe e parezistueshme. Ajo ishte e zhurmshme, shoqërohej gjithmonë me duar dhe zgjaste shumë.

Gruaja dukej më e madhe se burri. Të dy kishin veshur tuta të kuqe cka nuk mu duk një rastësi, por një vendim që e kishin marrë bashkë për tu kombinuar gjatë asaj shëtitje romantike në plazh. Poshtë tutës së kuqe gruaja kishte veshur një palë pantallona ngjyrë vjollcë të cilat i fryheshin pak te barku, për të treguar se ajo jo vetëm kishte lindur shpesh por edhe se ishte relativisht e moshuar.

Ndërsa burri që e ndiqte për ta puthur, kishte flokë të zinj, që dukej sikur sapo ishin lyer me zift. Ai kishte një palë sy të kaltër që atë mëngjes farfurinin nga dielli dhe përvec tutës së kuqe, mbante një palë xhinse të ngushta që i shtrëngonte në bel me një rrip të trashë, me togëza floriri.

Nëse nuk do isha në Shëngjin, do më dukej vetja si në New Jork. Ai burrë që mbante fort gruan e vet sikur ta kishte dashnore, do ishte një star në filmat e Martin Scorcezes. Me ndihmën e Scorcezes dhe togëzave të shumta, mund të vriste fare lehtë këdo dhe me sytë prej xhami që kishte mund tia hidhte fare mirë kujtdo. Robert De Niro, Al Pacino dhe gjithë italianët e pabesë të Neë Jorkut që vërtiten si të papunë nëpër këto filma, do ta kishin për nder të ishin dishepujt e tij.

Ndërkohë që ata të dy vinin drejt meje, unë shkrepa disa foto dhe u bëra me dorë të ndalonin. Kur u kërkova të putheshin burri e kapi fytyrën e gruas dhe e thithi me buzët e tij prej oktapodi. Pak më vonë ikën, njëri pas tjetrit dhe gruaja dukej sikur i thoshte, e sheh na nxorrën në televizor duke u puthur, ndërkohë që burri bënte lëvizje të egra me duar sikur i thoshte, e kujt i plasi sot është e diel.

Një muaj më parë duke ecur në sheshin Skënderbe shoh burrin ulur në një stol me një djalë që i ngjante shumë. Ku je, i them, a më mban mend. Nuk të mbaj mend, tha ai dhe u ngrit në këmbë. Të kam fotografuar në Shëngijn me gruan. Mos bre ,tha ai, më ka vdekur gruaja. Kur të ka vdekur i thashë. Ka disa muaj, më la vetëm. Po ky i thashë, kush është. Ky është djali im tha, kam pesë fëmijë. Ku jeton i thashë. Tani jetoj ku të mundem, shtëpinë ma morën kushërinjtë. Unë jam Ben Blushi,i thashë. Ouu bre ,tha burri, si nuk të njoha ke lënë mjekërr. Po kam ndryshuar,i thashë. Të kam parë në parlament, ka qenë i fortë ky, i tha djalit. Unë kam bërë një foto ku babai jot dhe mamaja puthen në buzë, i thashë djalit. Eeee kam qenë i fortë me femrat, tha burri. Mirë u pjekshim i thashë, ndoshta shihemi prapë dhe ta jap fotografinë ta vesh në murin e shtëpisë. Nëse ndonjëherë do kem shtëpi,tha burri. Ku i dihet, thashë unë. Zoti të rujt Ben Blushi, tha burri.

Ika dhe duke ecur nëpër Tiranë, u kujtova që për herë të dytë nuk e kisha pyetur si e kishte emrin.

Dje, duke lexuar lajme të kota në internet,pashë që burri që kisha fotografuar në Shëngjin kishte vdekur para tre ditësh. Quhej Sinan Paja. Ishte një personazh tik toku që shante mjekët nëpër spitale, kërcente dhe tallej me njerëzit. Kishte kaluar shumë vite burg në kohën e komunizmit sepse mbante flokë të gjatë dhe xhinsa të ngushta. Ishte nga Zheje, një fshat afër Mamurrasit, që ka aftësinë të nxjerrë njerëz të cuditshëm dhe të pashembullt. Kur kishte dalë nga burgu, ishte martuar dhe kishte lindur pesë fëmijë të cilëve u kishte vënë emrat Skënderbe, Lulëkuqe, Mbretëreshë, Herkul dhe Hitler.

Disa kohë  më parë, Sinani i kishte bërë thirrje publike një tipi që quhej Don Xhons,edhe ky një gango New Jorku, të vinte ti merrte Lulëkuqen për grua, ndryshe ai do ta vriste. Lulëkuqja ishte muza e tij e tik tokut dhe shoqëruesja e hareshme në kërcimet që, babë e bijë, bënin shpesh nëpër rrugët e Sarandës, aty ku muajt e fundit ishin shpërngulur për të jetuar.

Ky ishte Sinan Paja. Do doja ta kisha njohur më mirë. Nuk e di pse ka vdekur. Ndoshta nga trishtimi. Puthja e tij për gruan e vdekur ishte e paharrueshme dhe atij duhet ti ketë munguar shumë. Prandaj po e postoj si një kujtim për fëmijët e tyre dhe si një ngushëllim.

Ndoshta fëmijëve u pëlqen dhe e varin në murin e shtëpisë, aty ku të gjithë mbajmë mamin dhe babin, kur kanë qenë të lumtur.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese