Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

OpEd

PUSHTETARËT, NGA MË I MIRI TEK MË I POSHTRI!

Shkruar nga Newsbomb
PUSHTETARËT, NGA MË I MIRI TEK MË I POSHTRI!
Foto ilustruese- Meta-Rama-Basha-Berisha-Kryemadhi

Nga Edi Oga ekskluzivisht për newsbomb.al

GËNJESHTARË

Pjesa më e madhe e pushtetarëve, vijnë nga rradhët e politikanëve, Pjesa që mbetet, vjen nga drejtësia, biznesi apo tjetër, por gjithsesi edhe këta merren fort me politikë. Politikani nuk mund të quhet i tillë, nëse nuk gënjen. Të gjithë politikanët gënjejnë, kush më pak, kush më shumë, ndryshe nuk bëjnë dot përpara! Të gjithë e dimë këtë, por e kemi pranuar, se nuk kemi ç’të bëjmë. Ajo që nuk kuptohet, është sesi shpesh ky popull voton gënjeshtarin më të madh dhe jo më të voglin! Përse vallë?

MASHTRUES

Midis politikanëve gënjeshtarë me përkufizim, dallohen politikanët mashtrues.

Mashtrimi është forma më e poshtër e gënjeshtrës. Mashtrimi bëhet për qëllime përfitimi. Përfiton mashtruesi në kurriz të të mashtruarit duke shpërdoruar besimin në formë vote të këtij të fundit. Ne i njohim politikanët mashtrues, e përsëri i votojmë ata. Përse vallë?

HAJDUTË

Midis politikanëve gënjeshtarë dhe mashtrues, dallohen politikanët hajdutë. Janë ata që në fillim vjedhin votën, pastaj vjedhin ç’ka të munden në zyrë apo në terren, duke filluar që nga stilolapsat, nafta, dietat deri tek tenderat. Vjedhin pa pasur as turp as frikë. Vjedhin ç’të mundin. Ne i njohim politikanët hajdutë, e përsëri i votojmë ata. Përse vallë?

GRABITQARË

Midis politikanëve hajdutë, dallohen politikanët grabitqarë. Grabitja është forma e hapur dhe e dhunshme e vjedhjes. Ajo bëhet me forcë dhe ditën për diell. Ajo fillon me ndryshimin e ligjeve dhe përfundon me shpronësime e privatizime të padrejta. Në ndryshim nga politikanët hajdutë, politikanët grabitqarë janë të panginjur. Ne i njohim politikanët që na kanë grabitur kur kanë qenë në pushtet dhe përsëri i votojmë! Përse vallë?

ARROGANTË

Midis politikanëve që kanë katër cilësitë e mësipërme, ata që bien më tepër në sy, ata që (gjasme) na qeverisin por në fakt na sundojnë, janë ata që kanë edhe një cilësi tjetër edhe më të papranueshme sesa të parat: janë udhëheqësit arrogantë! Delirantë të kompleksuar, me fuqinë e atij që kontrollon drejtësinë, pra nuk mendohet që ai të dënohet për zullumet që ka bërë, ky lloj pushtetari bëhet arrogant. I duket vetja i përjetshëm në pushtet dhe mendon se pa të atje lart ky vend vdes! Emrat e këtyre pushtetarëve arrogantë, po i lë t’ua vendosni vetë në heshjte, sipas bindjeve tuaja politike. E përsëri ne do t’i votojmë këta mashtruesa, hajdutë, grabitqarë dhe arrogantë. Përse vallë?

Mbase duket sikur i futa të gjithë politikanët një një thes! Nuk është e vërtetë! Midis politikanëve të shumtë profesionistë në këtë vend, ka edhe nga ata të virtytshmit që nuk kanë asnjë ves dhe kanë hyrë në politikë vetëm për të dhënë kontributin e tyre për të mirën e përbashkët. I përshëndes ata. Që të tre.

Sondazh

Poll