Policia në Indi po heton punonjëset e organizatës bamirëse të themeluar nga laureatja e çmimit Nobel dhe shenjtorja Nënë Tereza, lidhur me disa akuza se organizata ka shitur fëmijë.
Një punonjëse femër e organizatës është arrestuar dhe dy të tjera janë ndaluar për t’u marrë në pyetje nga policia në Jharkhand. Gratë punojnë për Misionarët e Bamirësisë, të cilën Nënë Tereza themeloi në vitin 1946.
“Një grua është arrestuar dhe kemi dëshmi të forta për një tjetër murgeshë e cila mund të arrestohet së shpejti”, njoftuan autoritetet indiane.
Hetimi nisi pasi një tjetër organizatë për të drejtat e fëmijëve vuri re se një i mitur mungonte rreth një javë më parë.
Nga hetimet paraprake rezultoi se fëmija ishte shitur për 1,700 dollarë.
Dyshohet se shitjet janë kryer me qëllim birësimin ilegal, dhe ndryshimi i rregullave nga qeveria në vitin 2015 ka shkaktuar kundërshti të shumta. Procedurat për birësim në Indi janë tepër të komplikuara. Gjatë vitit 2016 u regjistruan vetëm 3,011 birësime të ligjshme pavarësisht se në listën e pritjes për të birësuar ishin rreth 12 mijë çifte.