
Projekti i marinës së Durrësit filloi zyrtarisht punën 4 muaj më parë, ku u hapën themelet e dy godinave të para të banimit, të cilat pritet të përfundojnë brenda dy viteve.
E teksa punimet janë ende në themele, në faqen e “Facebook” Durrës Yacht & Marine po punohet shumë për të bërë reklamim.
Pothuajse çdo ditë në “facebook” publikohen pamje nga punimet që janë ende në fillim, por jo vetëm kaq pasi ka postime 3D, ku publikohen pamje se si do të duket Durrës Yacht & Marine, pas përfundimeve të punimeve.
Madje madje, diku reklamohen edhe apartamentet që do ndërtohen shoqëruar me çmimet e “kripura”. Më herët në media u raportua se çmimet variojnë nga 110 mijë euro një apartament 60 m2, deri në rreth 1.2 milionë euro apartamentet 3+2 me një sipërfaqe 400 metra katrorë.
Kujtojmë që në projektin e Durrës Yacht & Marina parashikohet të ndërtohen dy rezidenca banimi 7 dhe 10 kate, si dhe një hotel që pritet të përfundojë brenda 2 viteve. Në total, në përfundim të projektit, në territorin e portit do të ndërtohen 13 mijë apartamente, si dhe disa hotele me 5 yje.
Projekti ka ngjallur reagime të shumta në radhët e politikës shqiptare, sepse për realizimin e tij do të spostohet porti i Durrësit në Porto Romano.